“Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u”/ Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, zbardhen bisedat në Sky ECC, GJKKO pranon provat e reja: Mësoje Festimin të thotë… Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos në fjalën përmbyllëse në Samitin e Ballkanit Perëndimor shprehu edhe një herë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
Ajo shprehu se me ritmet aktuale vendi mund të mbyllë procesin e negociatave deri në fund të vitit tjetër me shpresën për anëtarësim në vitin 2030. Ajo tha gjithashtu se vendet do të përparojnë drejt BE-së sipas meritave dhe theksoi edhe një herë se Shqipëria u shpërblye me 15% fonde më shumë nga Plani i Rritjes me fondet që vendet e tjera nuk kanë arritur t’i thithin.
“Po shohim se ata që zbatojnë reformat mund të ecin përpara. Ata që ende nuk i kanë zbatuar nuk mund të përparojnë. E njëjta gjë vlen edhe për Planin e Rritjes.
Komisioni Evropian po përfundon vlerësimin. Mali i Zi ka zbatuar 94% të reformave dhe së shpejti do të marrë 81 milionë euro në këstin e ardhshëm. Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave dhe do të marrë 185,6 milionë euro. Maqedonia e Veriut ka zbatuar 56% të reformave dhe do të marrë rreth 71 milionë euro.
Siç e përmendi edhe kryeministri juaj, do t’i rrisim fondet e Planit të Rritjes për tri vendet që kanë bërë më shumë përparim në zbatimin e reformave. Mali i Zi dhe Shqipëria do të marrin nga 15% më shumë, ndërsa Maqedonia e Veriut 10% më shumë. Procedurën do ta nisim së shpejti dhe këto fonde shtesë do të mund t’i merrni në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
Duhet të kujtojmë se Plani i Rritjes është hartuar që në fillim për të shpërblyer rezultatet. Vendet që përmbushin angazhimet për reforma marrin fonde.
Udhëheqësit evropianë po diskutojnë për buxhetin e ardhshëm të BE-së. Pjesë e këtyre diskutimeve është edhe shuma që do të vihet në dispozicion të vendeve në procesin e zgjerimit. Cilido qoftë rezultati i diskutimeve, një parim do të mbetet në fuqi. Financimi i BE-së do të lidhet me rezultatet e reformave.
Kjo pasqyron një ndryshim më të gjerë në marrëdhëniet tona me rajonin. Jemi të vendosur ta përshpejtojmë procesin, ndërsa rezultatet e secilit vend do të kenë gjithnjë e më shumë peshë. Qasja rajonale po humbet rëndësinë. Më shumë se kurrë, vendimet politike të secilit vend do të përcaktojnë sa shpejt do të ecë drejt BE-së.
Kjo qasje, që ne e quajmë qasje e bazuar në meritë, gëzon mbështetje të fortë nga shtetet anëtare. Ajo zbatohet për negociatat e anëtarësimit, për aksesin në fondet e BE-së dhe për integrimin gradual në Bashkimin tonë.
Dua të prezantoj edhe qasjen e re të Komisionit për thellimin e integrimit gradual. Kjo qasje mund ta afrojë çdo vend në procesin e zgjerimit me Bashkimin Evropian që përpara anëtarësimit, pa e zëvendësuar atë.
Duam t’u hapim këtyre vendeve më shumë sektorë të tregut të përbashkët të BE-së, përfshirë energjinë dhe transportin, si edhe të zgjerojmë bashkëpunimin në teknologjitë digjitale. Duam t’u hapim gjithashtu edhe institucionet tona.
Në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, do të zhvillojmë me secilin vend kandidat një dialog për integrimin gradual. Do të diskutojmë propozimet e vendeve kandidate dhe të Bashkimit Evropian, si dhe mënyrën se si integrimi më i thellë në fusha të caktuara mund të forcojë sigurinë e BE-së, përfshirë sigurinë ekonomike.
I njëjti parim vlen edhe këtu. Zbatimi i reformave në kuadër të negociatave të anëtarësimit është kushti për të ecur përpara.
Diskutuam edhe për mundësitë ekonomike që krijojnë lidhjet e reja të transportit që po ndërtojmë në të gjithë kontinentin. Fola për rëndësinë e lidhjeve të Ballkanit Perëndimor në një kuadër më të gjerë, atë të lidhjes së Bashkimit Evropian me Azinë Qendrore.
Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e rrugëve të reja tregtare që lidhin BE-në me Turqinë dhe, më në lindje, me Azinë Qendrore. Me shumë rrugë tregtare globale nën presion, presim që vëllimi i tregtisë në këto rrugë alternative të rritet. Kjo mund ta bëjë Ballkanin Perëndimor gjithnjë e më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë.
Për këtë na duhet bashkëpunim më i ngushtë në tregun e përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Bëhet fjalë për një treg prej 17 milionë banorësh, që ende ka nevojë për lidhje më të mira dhe zhvillim të mëtejshëm.
Shpresojmë që zhvillimet në Serbi dhe zgjedhjet në Bosnjë e Hercegovinë të ndihmojnë në zgjidhjen e disa çështjeve të hapura. Kështu mund të ecim përpara me garantimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe me përmirësimin e lidhjeve, edhe për turizmin që përmendët. Ka shumë fusha ku vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bashkëpunojnë më ngushtë, në dobi të rajonit dhe të gjithë Bashkimit Evropian.
Sot jemi në një udhëkryq. Qasja që i trajton gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si një grup po shkon natyrshëm drejt fundit. Zgjedhjet politike të secilit vend dhe të udhëheqësve të tij do të përcaktojnë çfarë do të ndodhë më pas.
Kuadri i ardhshëm Financiar Shumëvjeçar, pra buxheti i Bashkimit Evropian për periudhën 2028–2034, do të ketë një instrument të unifikuar financiar. IPA dhe Plani i Rritjes do t’i lënë vendin këtij instrumenti, i cili do të marrë parasysh specifikat e secilit vend. Do të flasim më shumë për atë që mund të bëjmë për secilin vend, ndërsa lidhjet brenda rajonit do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm.
Në buxhetin e ardhshëm do ta shtrijmë parimin e kushtëzimit që zbatojmë sot në Planin e Rritjes te të gjitha fondet që vendet kandidate mund të marrin nga Bashkimi Evropian.
Thirrja ime sot është që ta shfrytëzojmë këtë moment, ta çojmë punën deri në fund dhe t’ju sjellim të gjithëve në shtëpinë tuaj, në Bashkimin Evropian, tani”, tha Kos.
Top Channel