Saimir Tahiri publikon përgjimin ambiental: Grupi im kriminal më kishte emëruar kryeministër
Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka publikuar një përgjim ambiental, mes tre personave, të cilët diskutonin për targat e makinave të zyrtarëve të lartë të shtetit, presidentit e kryeministrit.
Në këto përgjime përmendej edhe Saimir Tahiri, ku një prej personave thekson se ai është ministër i Brendshëm.
“Sa mirë mund ta njohësh partnerin…në krim? Mua për shembull, grupi im kriminal më kishte emëruar Kryeministër, promovim që e mora vesh vetëm nga përgjimet…”, shkruan Tahiri krahas publikimit të përgjimir.
Ish ministri i Brendshëm ka bërë edhe më herët një reagim, ku tha se do të flasë dhe do të tregojë gjithë të vërtetat e tij.
“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua.
Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë!”, tha Tahiri në një reagim të pak javëve më parë.
Kujtojmë që Saimir Tahiri u dënua me 3 vite e 4 muaj burg me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në shkurt të vitit 2022, por u lirua një vit më vonë pasi kishte probleme shëndetësore.




