Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përcjellë një mesazh lidhur me protestat dhe shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile në Shqipëri, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.
Duke folur për procesin e integrimit europian, Kos theksoi se reformat duhet të zbatohen në të gjitha fushat, ndërsa nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në këtë proces. Ajo bëri të ditur se kishte zhvilluar një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, ku ishin ngritur edhe çështje që lidhen me protestuesit.
“Udhërrëfyesit që kemi përgatitur janë shenjë se Shqipëria do t’i arrijë rezultatet. Ne duam të punojmë për vendet kandidate, por rruga nuk është e lehtë. Do të ketë luhatjet e veta për çdo vend kandidat. Për sa kohë diskutojmë edhe çështjet që lindin dhe ato që ngrihen nga protestuesit, përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët pata sot një takim, dialogu është ai që duhet të ekzistojë”, deklaroi Kos.
Komisionerja europiane theksoi gjithashtu se ky mund të jetë viti më vendimtar për Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke nënvizuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes dhe zbatimit të reformave.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama foli për sfidat me të cilat është përballur qeveria gjatë viteve të fundit, duke përmendur tërmetin, pandeminë dhe luftën, të cilat, sipas tij, kanë detyruar ndryshimin e planeve dhe prioriteteve.
Rama u shpreh se nuk merret me atë që nuk ka në dorë, ndërsa solli si shembull një histori të trajnerit të futbollit Loro Boriçi për të ilustruar qëndrimin e tij.
“Fati e ka sjellë që unë të kem të bëj në këtë detyrë me gjëra të rënda që nuk i ka askush në dorë. Tërmeti. Bie tërmeti dhe duhet të rikonceptosh gjithçka që duhet. Vjen pandemia, duhet të rimendosh gjithçka që ke planifikuar, se nuk e planifikoje dot. Plas një luftë larg nga këtu dhe vjen rritja e çmimit të energjisë dhe duhet të rikonceptosh çfarë ke planifikuar. Ngjarjet nuk i planifikojmë dot. Nuk mendoj fare për çfarë nuk kam në dorë”, u shpreh kryeministri.
Më tej, Rama iu referua një episodi të Loro Boriçit gjatë një udhëtimi në Kinë, ku ky i fundit, përballë shiut, ishte shprehur se secili duhet të vazhdojë të bëjë punën e vet.
“Vazhdoj me sloganin e Loro Boriçit kur shkoi në Kinë t’u mësonte futbollin dhe ra shi. Ai tha: ‘Ku po shkoni? Shiu ka punën e vet, ne tonën’. Dhe ne ashtu do ta bëjmë. Shi apo diell, se kemi ne në dorë. Por dera e BE-së sot është e hapur”, deklaroi Rama.
Në përfundim, Marta Kos uroi shqiptarët për 28 Nëntorin, duke vlerësuar rrugëtimin e vendit nga izolimi drejt demokracisë, anëtarësimin në NATO dhe perspektivën europiane. Ajo theksoi se energjia e qytetarëve që besojnë te e ardhmja europiane mund të sjellë rezultate të rëndësishme për Shqipërinë.