Reshjet intensive të shiut kanë sjellë probleme në disa zona të qytetit të Vlorës, ku rrugët dhe trotuaret janë mbuluar nga uji, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Situata më problematike paraqitet në rrugën “Albano Romina”, në lagjen “Lef Sallata”, ku grumbullimi i ujit e ka bërë të vështirë kalimin. Kjo zonë përballet vazhdimisht me të njëjtin problem sa herë që qyteti përfshihet nga reshje të dendura.
Probleme janë raportuar edhe në Plazhin e Vjetër dhe në zonën e Skelës, pranë rrugës “Kosova”. Ndërkohë, në gjendje kritike paraqiten edhe aksi i rrugës “Hasan Kushta” dhe rruga pranë bibliotekës. Përveç vështirësive në qarkullim, situata krijon shqetësim edhe për bizneset që ndodhen në këto zona, të cilat rrezikojnë të preken nga depërtimi i ujit.
Përmbytjet sa herë ka reshje intensive mbeten një problem i përsëritur për Vlorën, duke rikthyer shqetësimet për gjendjen e sistemit të kullimit dhe kanalizimeve të ujërave të shiut.










