Prodhuesit: Paketa e re fiskale rrezikon të rrisë kostot dhe të dobësojë konkurrueshmërinë

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë paralajmëroi këtë të premte se ndryshimet në sistemin e taksave, të miratuara nga Kuvendi për vitin 2027, mund të rrisin kostot për sipërmarrjet, të dobësojnë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas dhe të krijojnë pasiguri për investimet e reja, pavarësisht reflektimit të disa prej kërkesave të komunitetit të biznesit në paketën përfundimtare.
Në një reagim pas miratimit të paketës fiskale, shoqata evidenton si ndryshimet kryesore rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritjen e normës standarde të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20% në 21% dhe përgjysmimin e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH, nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.
Sipas Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, përshtatja me kërkesat e reja fiskale mund të shtojë kostot administrative, veçanërisht për bizneset e vogla, ndërsa kostot shtesë mund t’ua vështirësojnë prodhuesve vendas ruajtjen e çmimeve konkurruese.
Shoqata ngre shqetësimin edhe për kohën e kufizuar që sipërmarrjet kanë në dispozicion për t’u përshtatur me ndryshimet, të cilat hyjnë në fuqi në janar. Afatet e shkurtra mund të vështirësojnë planifikimin e investimeve të reja, ndërsa konsultimi i pamjaftueshëm ndërmjet qeverisë dhe biznesit rrezikon të dobësojë besimin e sipërmarrjeve te procesi i vendimmarrjes.
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë vlerëson ndërkohë se paketa e miratuar pasqyron disa prej kërkesave të ngritura gjatë konsultimeve nga prodhuesit dhe shoqatat e tjera të biznesit.
Tatimi mbi fitimin mbetet në nivelin 15%, duke mos u rritur në 17%, siç ishte diskutuar në fazat paraprake të hartimit të paketës. Në listën e produkteve ushqimore që do të përfitojnë nga norma e reduktuar e TVSH-së prej 6% janë përfshirë edhe disa produkte të bulmetit, ndërsa duhani i prodhuar në vend ruan trajtimin e diferencuar në akcizë, sipas shoqatës.
Kuvendi miratoi me 80 vota pro Paketën Fiskale 2027, pavarësisht kundërshtimeve të 16 dhomave të tregtisë dhe shoqatave të biznesit, të cilat kishin kërkuar rishikimin e masave, shtyrjen e afateve të zbatimit dhe zhvillimin e konsultimeve më të gjera përpara miratimit. Opozita votoi kundër, ndërsa amendamentet e propozuara prej saj u rrëzuan.
Norma e re e tatimit mbi dividendin prej 15% do të zbatohet për fitimet e shpërndara nga 1 janari 2027, pavarësisht vitit kur janë realizuar ato.
Nga e njëjta datë, bizneset që gjatë vitit 2026 kanë realizuar një qarkullim mbi 5 milionë lekë do të regjistrohen automatikisht në skemën e TVSH-së nga administrata tatimore. Efekti financiar i uljes së pragut llogaritet në 3.5 miliardë lekë të ardhura shtesë në buxhet.
Paketa parashikon gjithashtu uljen e TVSH-së në 6% për 14 kategori produktesh bazë ushqimore, ndërsa për sektorin e akomodimit norma rritet nga 6% në 10%. Agroturizmi i certifikuar do të vijojë të përfitojë nga norma e reduktuar prej 6%.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar se ndryshimet synojnë rishpërndarjen e barrës fiskale, lehtësimin e taksimit për shtresën e mesme dhe rritjen e kontributit nga kategoritë me të ardhura më të larta.
Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Financave, efekti neto i paketës së re fiskale në buxhetin e vitit 2027 pritet të jetë pozitiv, me rreth 3.8 miliardë lekë, ose 40 milionë euro të ardhura shtesë.
Lexoni edhe:
Ja të gjitha projektligjet e paketës fiskale të miratuara në Kuvend
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









