Lëvizja ‘Shqipëria Bëhet’ ka depozituar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi 107 mijë firma për zhvillimin e referendumit për shfuqizimin e ligjit ‘Paketa e Maleve’ dhe ‘Investimet Strategjike’.
Para depozitimit Lapaj shprehu se firmat e mbledhura që do t’i jepen KQZ përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve.
“Sot po depozitojmë në KQZ plot 107 mijë firma të mbledhura nga qytetarët shqiptarë. Janë 107 mijë vullnete për ta çuar vendin në referendum për të shfuqizuar Paketën e Maleve dhe investimet strategjike. Këto 107 mijë vullnete janë dëshmi e qartë që qytetarët shqiptarë, për herë të parë, të mbajnë një referendum ku ata të ushtrojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të vendosin vetë për veten e tyre dhe për vendin tonë.
Këto dy ligje janë dëshmi e qartë e hajdutërisë së madhe të atdheut nga klasa që e sundon dhe tashmë qytetarët kanë shprehur vullnetin, të cilin ne po e depozitojmë sot në KQZ, për të shfuqizuar këto dy ligje. Referendumi është një akt shumë i lartë demokratik, është instrumenti i demokracisë së drejtpërdrejtë, ku qytetarët e shprehin vullnetin e tyre jo nëpërmjet të zgjedhurve, që duket se janë kthyer në kartonë të kryetarëve dhe shërbëtorë të oligarkisë, por drejtpërdrejt, duke vendosur vetë për fatin e çdo qytetari.
Kjo është një ditë historike për Shqipërinë.
Për herë të parë qytetarët janë organizuar dhe ia kanë dalë ta thyejnë barrierën e krijuar për të mos u realizuar referendumet që deri më sot nuk janë mbajtur”, tha Lapaj.
Top Channel