Begaj nga Ohri: Integrimi në BE, domosdoshmëri për sigurinë e Evropës, Shqipëria synon anëtarësimin në 2030

27 Nëntor 2026 | 14:04

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kërkuar përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe një element të rëndësishëm për sigurinë e kontinentit.

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Brdo-Brijunit, që u zhvillua këtë të premte në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Begaj theksoi se siguria e Evropës është e lidhur drejtpërdrejt me integrimin e rajonit në strukturat dhe institucionet evropiane.

“Ballkani Perëndimor nuk mund të shihet i shkëputur nga siguria e përgjithshme evropiane. Një Evropë më e sigurt kërkon një rajon të ankoruar fort në institucionet dhe vlerat evropiane. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të forcojë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë e Evropës për të vepruar”, u shpreh Presidenti.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit ngriti shqetësimin për kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja, por edhe për nacionalizmin ekstrem, revizionizmin historik dhe glorifikimin e personave të dënuar për krime lufte. Sipas tij, këto fenomene dëmtojnë besimin mes vendeve të rajonit dhe pengojnë procesin e pajtimit.

Begaj ritheksoi gjithashtu se fqinjësia e mirë mbetet një nga prioritetet e politikës së jashtme shqiptare, ndërsa shprehu mbështetjen e Shqipërisë për përshpejtimin e integrimit të Kosovës, si vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Sa i përket rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së, Presidenti konfirmoi ambicien për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030.

Ai nënvizoi se për arritjen e këtij objektivi vendi duhet të vijojë reformat, të forcojë sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike, si dhe të garantojë respektimin e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e pakicave.

Presidenti kërkoi gjithashtu që procesi i zgjerimit të mbetet i besueshëm dhe i bazuar në meritë, duke theksuar se përmbushja e detyrimeve nga vendet kandidate duhet të shoqërohet me përparim konkret drejt anëtarësimit.

Në këtë kontekst, ai vlerësoi rëndësinë e Procesit të Berlinit, Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, si mekanizma që mund të ndihmojnë në ngushtimin e hendekut ekonomik mes Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së.

“Bashkëpunimi rajonal nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por një nga mënyrat për t’u përgatitur për të”, deklaroi Begaj.

Në përfundim të samitit, liderët miratuan Deklaratën e Përbashkët të Ohrit, përmes së cilës riafirmuan mbështetjen për perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në dokument theksohet se zgjerimi i BE-së është një domosdoshmëri gjithnjë e më e madhe gjeopolitike dhe se vendet e rajonit nuk duhet të trajtohen si vende të treta, por si pjesë përbërëse e rrjeteve infrastrukturore, integrimit ekonomik dhe zhvillimit të ardhshëm të Evropës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Marta Kos: Shqipëria mund të hyjë në BE deri në vitin 2030, negociatat mund të mbyllen vitin e ardhshëm

Shqipëria mund të përmbyllë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian në fund të vitit 2027 dhe të bëhet pjesë e unionit deri në vitin 2030....
12:52 | 27/11/2026

“2027-a, viti i Shqipërisë”, Rama: Nuk kërkojmë rrugë të shkurtra, por të përmbushim detyrat në maksimum

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria shqiptare ka një vizion të qartë për vitin 2027, duke e cilësuar përmbushjen e detyrave të integrimit europian...
12:44 | 27/11/2026

Rama zbardh diskutimet nga Samiti: Shqipëria merr 15% fonde shtesë nga Plani i Rritjes

Kryeministri Edi Rama këtë të premte po zhvillon një konferencë për mediat me komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor për...
12:35 | 27/11/2026