Huamarrja për ekonominë në vend regjistroi përsëri ecuri pozitive gjatë muajit tetor të këtij viti sipas të dhënave zyrtare.
Referuar Bankës së Shqipërisë, kredia e re shënoi vlerën e 38.4 miliardë lekëve me rritje me 9.5% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.
Tregtia mori pjesën më të madhe të financimit, pasi rezulton se bizneset e tregtisë me shumicë dhe pakicë morën rreth 7.9 miliardë lekë, ose 6.5% më shumë krahasuar me një vit më parë sipas Bankës Qëndrore.
Me rreth 4 miliardë lekë kredi të reja rënditet ndërtimi për muajin tetor, ndërsa industria përpunuese mori rreth 2.5 miliardë lekë ose 31.5% më shumë se një vit më parë.
Megjithatë referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rritje të konsiderueshme regjistruan edhe disa sektorë të tjerë.
Kredia e re për energjinë arriti në rreth 1.5 miliardë lekë, ndërsa financimi për informacionin dhe komunikacionin u rrit në rreth 1.3 miliardë lekë. Ndjekur nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme në rreth 1.2 miliardë lekë.
Por në anën tjetër, sektorë si transporti dhe magazinimi shënuan rënie të konsiderueshme të kreditimit me rreth 61.6% dhe akomodimi e shërbimi ushqimor me rreth 58.3% referuar të dhënave zyrtare për muajin tetor.
Referuar të dhënave të muajit tetor ato tregojnë se tregtia ruan dominimin, sektorët si energjia, teknologjia dhe pasuritë e paluajtshme që fitojnë gjithnjë e më tepër terren.










