Vendosni fjalën kyçe....

Demo dhe drejtuesja e EUDA-s diskutojnë bashkëpunimin për luftën kundër trafikut të drogës


Identifikimi në kohë i rreziqeve nga substancat e reja psikoaktive dhe forcimi i kapaciteteve për luftën kundër trafikimit të drogës ishin në fokus të takimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, me Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë së Bashkimit Europian për Drogat (EUDA), Dr. Lorraine Nolan.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim dhe asistencë teknike, me qëllim që ekspertiza europiane të ndihmojë institucionet shqiptare në identifikimin më të shpejtë të kërcënimeve të reja dhe në orientimin e masave kundër tregut të paligjshëm të drogës.

Një nga prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme është forcimi i Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm. Mbështetja e EUDA-s pritet të përmirësojë procedurat për identifikimin, vlerësimin dhe njoftimin në kohë të rreziqeve që lidhen me substancat e reja psikoaktive.

Gjatë viteve 2025–2026, sistemi kombëtar ka përpunuar rreth 120 njoftime të EUDA-s dhe ka kontribuar në identifikimin, për herë të parë në Shqipëri, të tri substancave të reja psikoaktive.

Forcimi i këtij mekanizmi synon t’u mundësojë strukturave përgjegjëse të reagojnë më herët ndaj rreziqeve që këto substanca paraqesin për qytetarët.

Në takim u diskutua gjithashtu shkëmbimi i analizave mbi tregjet europiane të drogës dhe prirjet e trafikimit. Kjo ekspertizë do të ndihmojë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit në përcaktimin e prioriteteve dhe masave për reduktimin e ofertës së drogës.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe trajnimet dhe përdorimi i metodologjive të EUDA-s për përmirësimin e cilësisë dhe krahasueshmërisë së të dhënave kombëtare, në koordinim me Observatorin Kombëtar të Drogave.

Këto fusha bashkëpunimi lidhen edhe me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 24, “Drejtësia, liria dhe siguria”, si dhe të Agjendës Kombëtare të Reformave.

Në takim morën pjesë gjithashtu Cécile Martel, Drejtuese e Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të EUDA-s, dhe Robert Lagemann, ekspert i jashtëm i deleguar nga Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë.