Dhënia e shtetësisë serbe për Ali Ramzanoviq Musajevin, djalin e liderit çeçen Ramzan Kadyrov, ka rikthyer debatet mbi pajisjen nga Beogradi me pasaporta të individëve të lidhur me regjimin e Moskës.
Një investigim i referuar nga gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) tregon se të paktën 200 shtetas rusë kanë marrë dokumente serbe pas vitit 2022.
Të lidhura
None found
Mes përfituesve figuron edhe djali i Kadyrovit, i cili është pajisur me shtetësi serbe me motivacionin se kishte kryer “shërbime të jashtëzakonshme” për Serbinë. Vendimi është firmosur në korrik të vitit të kaluar nga kryeministri në largim, Gjuro Macut. Në dokumente, mbiemri i tij rezulton të jetë ndryshuar nga Kadyrov në Musajev.
Informacioni u bë fillimisht publik nga fondacioni i drejtuar më herët nga opozitari rus Alexei Navalny dhe më pas u konfirmua edhe nga mediat serbe.
Sipas këtij fondacioni, bëhet fjalë për një praktikë më të gjerë. Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, dhjetëra persona të lidhur me elitën politike dhe ekonomike të Rusisë, së bashku me familjarë të tyre, dyshohet se kanë përfituar shtetësinë serbe.
Ndër emrat e përmendur janë të afërm të oligarkëve çeçenë, anëtarë të partisë së Vladimir Putinit, “Rusia e Bashkuar”, zyrtarë të Gazprom Bank dhe persona të angazhuar në industrinë ushtarake ruse.
Në prill u raportua se një tjetër i afërm i Kadyrovit kishte marrë shtetësinë serbe në rrethana të ngjashme. Pas reagimeve dhe kritikave publike, autoritetet e Serbisë e shfuqizuan vendimin, duke iu referuar dispozitës ligjore që lejon heqjen e shtetësisë kur një individ konsiderohet kërcënim për sigurinë publike.
FAZ, megjithatë, ka vënë në dyshim këtë shpjegim të autoriteteve serbe. Gazeta ngre pikëpyetjen se si një person, i cilësuar fillimisht si përfitues i “meritave të jashtëzakonshme” ndaj Serbisë, mund të shpallet rrezik për sigurinë vetëm pak ditë më vonë.








