Një zyrtar i Postës në Rahovec u arrestua me dyshimin se ka përvetësuar mbi 10 mijë euro nga qarkullimi ditor i dy zyrave postare.

Sipas një njoftimi për media ai dyshohet për veprën penale “përvetësim në detyrë”.


Policia e Kosovës bëri të ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia në Gjakovë, ka pranuar informacione se një person i dyshuar ka dështuar të raportonte mjetet e qarkullimit ditor për dy pika postare në komunën e Rahovecit, të cilat dyshohet se i kishte përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme.

“Sipas informatave të pranuara i dyshuari mashkull kosovar nga datat 19 dhe 20.10.2026 kishte përvetësuar nga qarkullimi ditor i zyrave postare shumën prej 10,146.12€ (dhjetë mijë e njëqind e dyzet e gjashtë euro e dymbëdhjetë cent)”, thuhet në njoftim.

Bazuar në autorizimin e pranuar nga Prokuroria Themelore Gjakovë nga njësitë përkatëse policore janë ndërmarrë veprimeve hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit, ku si rrjedhojë janë siguruar prova që dëshmojnë se i dyshuari ka kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”.

I dyshuari thuhet se është intervistuar në prezencën e avokatit dhe me aktvendim të prokurorit kompetent ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Telegrafi/