Uji i ambalazhuar pa TVSH-së 6%, relacioni: Do të shtonte 200 mln euro rimbursime TVSH në 2027

Uji i ambalazhuar nuk do të përfitojë normën e reduktuar të TVSH-së prej 6%, pasi përfshirja e tij në listën e produkteve ushqimore bazë do të sillte një ulje të të ardhurave buxhetore në vlerën e 2 mld lekëve dhe rritje të kërkesave për rimbursim të TVSH-së që llogariten deri në 20.2 miliardë lekë për 2027.
Krahas këtyre efekteve është llogaritur që çmimi i ujit nga TVSH 21% do të rritet me 0.48 lekë për litër.
Gjatë shqyrtimit nen për nen të ndryshimeve në ligjin për TVSH-në, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat kishte shtuar ujin e ambalazhuar në listën e produkteve që do të tatoheshin me normën 6%. Megjithatë, me një amendament të depozituar në Kuvend nga deputeti Erion Malaj, u propozua heqja e tij nga lista dhe rikthimi në variantin e dakordësuar me Ministrinë e Financave.
Sipas relacionit shoqërues, përfshirja e ujit në normën 6% vlerësohej se do të ulte të ardhurat nga TVSH-ja me rreth 2 miliardë lekë në vitin 2027.
Një tjetër argument lidhet me efektin në skemën e kreditimit dhe rimbursimit të TVSH-së. Prodhuesit e ujit të ambalazhuar do të vijonin të paguanin TVSH 21% për inputet, përfshirë ambalazhin plastik, tapët, etiketat, energjinë dhe transportin, ndërsa produktin përfundimtar do ta shisnin me normën 6%.
Kjo diferencë do të krijonte teprica kreditore të vazhdueshme, pasi TVSH-ja e paguar për blerjet do të tejkalonte atë të mbledhur nga shitjet. Për pasojë, kompanitë do të kishin më shumë kërkesa për rimbursim nga administrata tatimore, duke shtuar presionin mbi skemën e rimbursimit të TVSH-së, për të cilën në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 20,2 miliardë lekë.
Relacioni argumenton gjithashtu se heqja e ujit nga lista do të sillte një rritje të çmimit prej vetëm 0,48 lekësh për shishe, si pasojë e aplikimit të normës standarde.
“Nga pikëpamja e mekanizmit të tatimit mbi vlerën e shtuar, prodhuesit e ujit të ambalazhuar blejnë inputet kryesore, ambalazhin plastik, tapat, etiketat, energjinë dhe transportin, me shkallën standarde 21 për qind, ndërsa produktin do ta shisnin me 6 për qind. Për rrjedhojë, tatimi i zbritshëm i blerjeve do ta tejkalonte rregullisht tatimin e shitjeve, duke krijuar tepricë kreditore të përhershme dhe kërkesa për rimbursim. Kjo kosto shtohet mbi uljen e të ardhurave nga shitja dhe rëndon procesin e rimbursimit, për të cilin Ministria e Financave parashikon për vitin 2027 rreth 20,2 miliardë lekë.
Përfshirja e ujit të ambalazhuar në shkallën 6 për qind vlerësohet të ulë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar me rreth 2 miliardë lekë. Kjo shifër është më e lartë se efekti neto i të gjithë projektligjit, të cilin Ministria e Financave e ka vlerësuar rreth minus 1,58 miliardë lekë për vitin 2027, dhe nuk është pasqyruar në parashikimin e të ardhurave të projektbuxhetit të vitit 2027, i cili është hartuar mbi bazën e listës së propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Heqja e ujit nga lista, nga ana tjetër, e rrit çmimin vetëm me rreth 0,48 lekë për shishe, si pasojë e kalimit të shkallës standarde nga 20 në 21 për qind. Lehtësia nuk është e targetuar: ajo zbatohet për çdo blerje uji të ambalazhuar, pavarësisht nga të ardhurat e familjes apo sasia e konsumuar”, argumentohet në relacionin e amendamentit.
Një tjetër arsye për mospërfshirjen lidhet me paqartësitë në klasifikimin e produkteve. Sipas relacionit, termi “ujë i ambalazhuar” nuk bën dallimin mes ujit mineral dhe atij të gazuar pa sheqer, nga njëra anë, dhe ujërave të aromatizuara apo të ëmbëlsuara, të cilat klasifikohen si pije freskuese, nga ana tjetër.
Uji i ambalazhuar nuk do të ketë TVSh 6%; Kuvendi rrëzoi Ekonominë, pro amendamentit për heqjen
Relacioni i amendamentit
Gjatë shqyrtimit nen për nen, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat shtoi ujin e ambalazhuar në listën e produkteve ushqimore bazë që tatohen me shkallën e reduktuar 6 për qind, sipas pikës 11 të nenit 49 të ligjit nr. 92/2014. Projektligji i Këshillit të Ministrave nuk e përfshinte këtë produkt.
Amendamenti propozon heqjen e tij nga lista dhe rikthimin e saj në përmbajtjen e dakordësuar me Ministrinë e Financave. Ai nuk prek produktet e tjera të listës, as produktet e higjienës menstruale dhe të higjienës për fëmijët, të shtuara nga Komisioni.
Përfshirja e ujit në listë është mbështetur në faktin që ligji nr. 9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, e përfshin ujin në kuptimin e ushqimit. Ky përkufizim i shërben sigurisë ushqimore dhe nuk mund të përcaktojë fushën e një shkalle tatimore. Sipas të njëjtit nen, termi “ushqim” përfshin, gjithashtu, pijet, çamçakëzin dhe aditivët ushqimorë, pra edhe pijet freskuese dhe ato alkoolike. Pika 11 e nenit 49 të ligjit nr. 92/2014 nuk i referohet ushqimit në përgjithësi, por një liste të mbyllur produktesh ushqimore bazë, të përzgjedhura për peshën e tyre në shportën e familjes.
Përfshirja e ujit të ambalazhuar krijon edhe vështirësi në kufizimin e fushës së zbatimit. Nomenklatura e Kombinuar e klasifikon ujin mineral, ujin e gazuar dhe ujërat e tjera pa sheqer dhe pa aromatizues në kodin 2201, ndërsa ujin mineral dhe ujin e gazuar me sheqer, me ëmbëlsues ose të aromatizuar në kodin 2202 10, si pije freskuese. Termi “ujë i ambalazhuar” nuk e bën këtë dallim, prandaj krijon rrezikun që shkalla 6 për qind të pretendohet edhe për ujërat e aromatizuara dhe të ëmbëlsuara, të cilat në thelb janë pije freskuese, dhe sjell mosmarrëveshje ndërmjet tatimpaguesve dhe administratës tatimore.
Nga pikëpamja e mekanizmit të tatimit mbi vlerën e shtuar, prodhuesit e ujit të ambalazhuar blejnë inputet kryesore, ambalazhin plastik, tapat, etiketat, energjinë dhe transportin, me shkallën standarde 21 për qind, ndërsa produktin do ta shisnin me 6 për qind. Për rrjedhojë, tatimi i zbritshëm i blerjeve do ta tejkalonte rregullisht tatimin e shitjeve, duke krijuar tepricë kreditore të përhershme dhe kërkesa për rimbursim. Kjo kosto shtohet mbi uljen e të ardhurave nga shitja dhe rëndon procesin e rimbursimit, për të cilin Ministria e Financave parashikon për vitin 2027 rreth 20,2 miliardë lekë.
Përfshirja e ujit të ambalazhuar në shkallën 6 për qind vlerësohet të ulë të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar me rreth 2 miliardë lekë. Kjo shifër është më e lartë se efekti neto i të gjithë projektligjit, të cilin Ministria e Financave e ka vlerësuar rreth minus 1,58 miliardë lekë për vitin 2027, dhe nuk është pasqyruar në parashikimin e të ardhurave të projektbuxhetit të vitit 2027, i cili është hartuar mbi bazën e listës së propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Heqja e ujit nga lista, nga ana tjetër, e rrit çmimin vetëm me rreth 0,48 lekë për shishe, si pasojë e kalimit të shkallës standarde nga 20 në 21 për qind. Lehtësia nuk është e targetuar: ajo zbatohet për çdo blerje uji të ambalazhuar, pavarësisht nga të ardhurat e familjes apo sasia e konsumuar.
Direktiva 2006/112/KE, në pikën 2 të Aneksit III, e lejon shkallën e reduktuar për furnizimin me ujë, por nuk e detyron. Vendet anëtare që e zbatojnë këtë mundësi, si Gjermania, e zbatojnë për ujin e furnizuar nga rrjeti, ndërsa uji mineral dhe uji i ambalazhuar tatohen me shkallën standarde.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









