Vitin e ardhshëm do të zhvillohet Kampionati Evropian i U21 me Shqipërinë që është një prej vendeve organizatore të kompeticionit të rëndësishm. Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur se kanë dalë zyrtarisht në shitje biletat për këtë event që do të zhvillohet nga 16 qershori deri në 3 korrik të 2027.

FSHF në komunikatën në faqen e saj të internetit, bën të ditur se biletat janë të disponueshme online në faqen zyrtare të UEFA dhe publikoi edhe linkun për këtë proces

Në Evropianin U21 të vitit të ardhshëm  marrin pjesë 16 skuadra, me ndeshjet që do të luhen në 8 stadiume, 4 në Shqipëri dhe 4 në Serbi. Kombëtarja Kuqezi është në Grupin B të kompeticionit së bashku me Spanjën, Italinë e Finlandën. Në vendin tonë do të luhen ndeshjet e Grupit B dhe D dhe impiantet që do t’i presin janë: ‘Arena Kombëtare’ e ‘Arena e Demave’ në Tiranë, ‘Elbasan Arena’ në Elbasan dhe ‘Loro Boriçi’ në Shkodër. Gjithashtu, Shqipëria do të mirëpresë edhe dy ndeshje çerekfinale, një gjysmëfinale dhe finalen e madhe të këtij kompeticioni.

Çmimet e biletave

Biletat janë të ndara në dy kategori, me çmime të ndryshme sipas fazës së kompeticionit:

Faza e grupeve

Kategoria 1: 1,350 lekë

Kategoria 2: 1,000 lekë

Faza me eliminim direkt

Kategoria 1: 1,750 lekë

Kategoria 2: 1,350 lekë

Finalja

Kategoria 1: 2,300 lekë

Kategoria 2: 1,750 lekë

Procedura se si blihet bileta online:

Fillimisht ju duhet të regjistroheni në platformë duke përdorur një adresë e-mail.

Më pas, zgjidhni tribunën e stadiumit dhe më pas përzgjidhni ulësen.

Pasi keni përzgjedhur ulëset, duhet të plotësoni në tabelën dialoguese të dhënat për biletat. Në fund procedoni me pagesën, duke plotësuar të dhënat e kartës tuaj. Pasi të konfirmohet pagesa, bileta do të mbërrijë në adresën e-mail me të cilën jeni regjistruar në platformë.

Top Channel