Ditë Falenderimesh me stuhi SHBA: Anulohen qindra fluturime, shtyhet parada në Nju Jork

27/11/2026 15:42

Stuhi të fuqishme goditën Shtetet e Bashkuara në Ditën e Falënderimeve, duke shkaktuar përmbytje në pjesën lindore të vendit, ndërprerja masive të energjisë elektrike dhe vështirësi të mëdha në transport.

Erërat me shpejtësi deri në 113 kilometra në orë dhe reshjet e dendura lanë në errësirë gati 1 milion familje. Zonat më të prekura nga moti i keq ishin Pensilvania, Virxhinia, Merilendi dhe Nju Xhersi, ku në zona të caktuara, rikthimi i energjisë mund të kërkojë disa ditë.

Stuhia goditi vendin në një nga ditët më të rëndësishme të festave amerikane, kur miliona qytetarë udhëtojnë për të kaluar Ditën e Falënderimeve me familjet e tyre. Sipas të dhënave të platformës FlightAëare, vetëm gjatë së enjtes u anuluan mbi 400 fluturime, ndërsa rreth 2.200 të tjera u regjistruan me vonesa. Situata e rënduar meteorologjike detyroi autoritetet të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme në disa zona të Nju Xhersit, për shkak të përmbytjeve në vendbanimet bregdetare.

Masa të ngjashme u ndërmorën edhe në qytetin e Nju Jorkut, Long Island dhe qarkun Westchester. Vetë kryeqyteti Washington DC regjistroi reshjet më të mëdha të Ditës së Falënderimeve që nga fillimi i matjeve meteorologjike.

Uji arriti deri në pistat e aeroportit kombëtar Ronald Reagan, duke vështirësuar më tej trafikun ajror. Në Nju Jork sakaq, moti i keq ndikoi edhe në organizimin e aktiviteteve të kësaj feste, duke bërë që parada tradicionale e saj të shtyhej për ditën e shtunë.

Top Channel