Paketa fiskale për vitin 2027, e propozuar nga Bashkia e Sarandës, nuk arriti të marrë shumicën e votave në Këshillin Bashkiak.
Debatet u përqendruan në dy propozime për uljen e taksave.
Këshilltarët e djathtë kundërshtuan taksën e fjetjes, me vlerë 120 lekë për person në natë, të propozuar nga bashkia për hotelet nën katër yje. Ata kërkuan që kjo taksë të mbetet në nivelin 91 lekë.
"Taksa prej 120 lekësh tejkalon kufirin e lejuar nga ligji. Kufiri maksimal i llogaritur duke i shtuar 30 për qind nivelit tregues prej 70 lekësh është 91 lekë, ndaj kërkojmë që taksa e fjetjes për hotelet nën katër yje të fiksohet në këtë nivel", tha Përparim Ahmeti, këshilltar.
Ndërsa të majtët propozuan uljen me 30% të taksës së ndikimit në infrastrukturë për garazhet.
Gjergji Imeraj, këshilltar, u shpreh se: "Mungesa e vendeve të parkimit është një nga problemet kryesore në Sarandë dhe Ksamil. Ulja e taksës me 30 për qind do t’i nxiste ndërtuesit të krijonin më shumë hapësira parkimi në ndërtimet e reja."
Këshilltarët e djathtë votuan kundër uljes së taksës për garazhet, ndërsa socialistët abstenuan për taksën e fjetjes. Këshilli numëron 31 anëtarë dhe nevojiteshin 16 vota, ndaj asnjëri prej propozimeve nuk u miratua. Kësisoj, mbetet në fuqi Paketa Fiskale e vitit 2026.
Përplasje për tarifat pati edhe në Këshillin Bashkiak të Lushnjës.
Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve kërkoi rritjen e çmimit të ujit nga 62 në 74 lekë për metër kub për abonentët familjarë.
"Rritja e çmimit të ujit nga 62 në 74 lekë për metër kub mbështetet në plan-biznesin e kompanisë, me qëllim përmirësimin e furnizimit në disa pjesë të ujësjellësit rajonal Lushnjë dhe ndërtimin e rrjeteve të reja", tha Klajdi Shkurti, administrator i SH.A. Ujësjellës-Kanalizime, Lushnjë.
Të majtët abstenuan, ndërsa të djathtët votuan kundër rritjes së çmimit të ujit. Kësisoj, tarifa për qytetarët do të mbetet e pandryshuar.
Çmimi i ujit të pijshëm për konsumatorët familjarë në Lushnjë nuk do të rritet për momentin. Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar kërkesën e Ujësjellës-Kanalizimeve Rajonale për rritjen e tarifës nga 62 në 74 lekë për metër kub, ose me rreth 19%.
Kërkesa u shqyrtua gjatë mbledhjes së muajit nëntor të Këshillit Bashkiak, ku administratori i kompanisë, Klajdi Shkurti, argumentoi nevojën për rritjen e tarifës me investimet e parashikuara në planin e biznesit për përmirësimin e furnizimit me ujë dhe ndërtimin e puseve të reja.
Pas diskutimeve, kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë, Orgest Krakulli, deklaroi abstenimin e këshilltarëve të majtë, ndërsa kryetari i grupit të këshilltarëve të opozitës, Klement Çela, deklaroi votën kundër.
Në këto kushte, Këshilli Bashkiak i Lushnjës, bashkia e së cilës zotëron 38% të aksioneve të kompanisë rajonale të ujësjellësit, nuk e miratoi kërkesën për rritjen e tarifës.









Komente
Komento