Partia Demokratike duket se e konsideron Bashkinë e Tiranës si ‘autoshkollë politike’ ose si mundësi një herë në katër vite për ndonjë pazar me pushtetin për të shtuar plaçkën. Mes emrave të propozuar për garën për Bashkinë e Tiranës është edhe Belind Këlliçi, të cilin Erion Veliaj e ‘rrahu’ me 60 mijë vota diferencë në zgjedhjet e 2023, duke shënuar humbjen më të thellë të një kandidati demokrat që nga themelimi i PD-së.
Nuk dihet nëse vetë Këlliçi, përmes njerëzve të tij në strukturat e PD-së së Tiranës, ka diktuar propozimin e emrit të tij si kandidat apo përfshirja e tij në listën e të propozuarve është skenar i Berishës për ta djegur përfundimisht politikisht si dhe për ta shkëmbyer heqjen dorë nga bashkia me ndonjë kullë, koncension etj.
Ndërkaq, Jorida Tabaku, ndonëse ka shprehur ambicien për të mos qenë kandidate për bashkinë e kryeqytetit, emri i saj është propozuar nga disa degë të PD-së. Tabaku, të cilën gjermanët e kanë piketuar që një ditë të marrë drejtimin e PD, besohet se nuk do të pranojë të kandidojë për Tiranën.
As emri i mjekut Ilir Alimehmeti nuk mungon, i cili ka mbështetjen jo vetëm të strukturave, por edhe bekimin e Sali Berishës për të qenë ai kandidati zyrtar për Bashkinë e Tiranës. Berisha mësohet se i ka premtuar Alimehmetit se do ta kandidojë në Tiranë në këmbim të braktisjes nga ana e tij të lëvizjes së Ervin Salianjit. Pas shfaqjes në takimin e Durrësit, Alimehmeti u distancua nga Salianji dhe nisi të shfaqej në Foltoret e Berishës. Tashmë Berisha është peng i këtij pazari politik, por nga ana tjetër kandidimi i Alimehmeti është i ekuivalent me dorëzimin e Bashkisë së Tiranës në tavolinë.
Emrat e tjerë të propozuar janë Klevis Balliu dhe Ethem Aga, ndërsa të gjitha sondazhet diktojnë Florian Binajn. Eduard Zaloshnja ka publikuar mbrëmë, në emisionin “Top Story”, një sondazh për zgjedhjet e ardhshme për Bashkinë e Tiranës. Ai vuri në dukje një të dhënë të veçantë që lidhet me zhvendosjen e votës drejt një kandidati jashtë dy forcave kryesore politike, PS-së dhe PD-së.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Zaloshnja, rreth 33% e elektoratit të përllogaritur mund të orientohet drejt një kandidati tjetër, duke krijuar një grup të konsiderueshëm votuesish që nuk identifikohen me partitë tradicionale. Vox News zbuloi se kandidati të cilit i referohet kjo përqindje është kandidati i pavarur Florian Binaj.
Në fillim të nëntorit, Sali Berisha nisi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve duke kërkuar që brenda 30 nëntorit ti ketë emrat në tavoline. Pas mbylljes së procesit të hënën pritet të ngrihet një komision seleksionimi i përbërë nga pesë anëtarë që merr ne shqyrtim dokumentacionin brenda 15 ditëve nga përfundimi i aplikimeve. Kandidatët të cilët kalojnë filtrit pritet të marrin më pas dhe miratimin e kryesisë së Partisë Demokratike.