Dhoma e Avokatisë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin e Rregullores së Brendshme të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në kërkesën e saj, Dhoma e Avokatisë pretendon se rregullorja, e miratuar më datë 17 korrik 2026, bie ndesh me disa dispozita të Kushtetutës.
Sipas saj, akti tejkalon kufijtë e kompetencës normative të organit që e ka nxjerrë, cenon rezervën kushtetuese të ligjit dhe nuk respekton kërkesat për botimin dhe hyrjen në fuqi të akteve normative.
“Shfuqizimin si të papajtueshëm me nenet 4, 5, 7, 11, 15, 16, 17, 18, 22, 30, 31, 35, 36, 41, 42, 49, 116, 117, 118, 119, 122, 124 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Rregullores së Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, miratuar me vendimin nr. 49, datë 17.07.2026 të Këshillit të kësaj Gjykate, e cila ka hyrë në fuqi më 10.09.2026, së bashku me anekset e saj dhe aktin miratues, për shkak të tejkalimit të kufijve të kompetencës normative të organit nxjerrës, cenimit të rezervës kushtetuese të ligjit, mosrespektimit të kërkesave kushtetuese për botimin dhe hyrjen në fuqi të akteve normative, si dhe kufizimit joproporcional të të drejtave dhe garancive kushtetuese të shtjelluara në këtë kërkesë”, thuhet në kërkesën e Dhomës së Avokatisë.
Kujtojmë se përplasja mes Dhomës së Avokatisë dhe Gjykatës së Posaçme nisi në fillim të shtatorit 2026, me hyrjen në fuqi të rregullores së re të brendshme të GJKKO-së, e cila përcakton rregulla të reja për sigurinë, aksesin, zhvillimin e seancave gjyqësore dhe sjelljen në ambientet e gjykatës.
Një nga pikat që shkaktoi kundërshtimin më të madh të avokatëve ishte neni 76 i rregullores, që parashikon ndalimin e mbajtjes dhe përdorimit të telefonave celularë në sallat e gjyqit. Dhoma e Avokatisë e konsideroi këtë masë pengesë për ushtrimin e profesionit dhe të drejtën e mbrojtjes, duke argumentuar se telefoni është një mjet pune për avokatët, përmes të cilit ata aksesojnë dokumente dhe komunikojnë për nevojat e çështjeve që përfaqësojnë.
Më 1 shtator, Dhoma e Avokatisë, kërkoi zyrtarisht nga drejtuesit e GJKKO-së rishikimin e rregullores, duke kundërshtuar veçanërisht kufizimin për telefonat celularë. Megjithatë, GJKKO nuk pranoi të tërhiqej nga rregullat e miratuara, duke argumentuar se ndalimi është masë sigurie dhe rendi, e zbatueshme njësoj për të gjithë pjesëmarrësit në proces. Gjykata sqaroi se avokatët mund të përdorin laptopë për nevojat procedurale.
Pasi kërkesa për rishikimin e rregullores nuk mori përgjigjen e kërkuar nga avokatët, Dhoma e Avokatisë vendosi të kalonte në bojkot të seancave gjyqësore në GJKKO. Fillimisht bojkoti u shtri në gjykimet në themel, ndërsa më 28 shtator u zgjerua edhe në seancat për vlerësimin dhe caktimin e masave të sigurisë.
Situata solli bllokimin e disa proceseve të rëndësishme gjyqësore, ndërsa GJKKO reagoi duke kërkuar zbatimin e rregullores dhe duke paralajmëruar se ajo mbetet e detyrueshme.
Në këto kushte, Dhoma e Avokatisë ka zgjedhur tashmë rrugën kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e plotë të rregullores, anekseve dhe vendimit miratues të saj.














