Monika Kryemadhi rikthehet sërish në ekranin e Top Channel, këtë herë si opinioniste e edicionit të gjashtë të “Big Brother VIP Albania”.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Kryemadhi gjatë një interviste në emisionin “Shqipëria Live”, me moderatoren Sidorela Gjoni, ku ka zbuluar se është thirrur për të firmosur kontratën.
“Unë them që dëshirë kam të jem, sepse kam kaluar shumë mirë… Sot më thirrën për të firmosur kontratën dhe je e para që po e bëj këtë njoftim”, u shpreh Kryemadhi.
Ajo nuk e ka fshehur entuziazmin për rikthimin në formatin televiziv, duke e konsideruar këtë eksperiencë një privilegj, pavarësisht angazhimit që kërkon.
“Jam shumë e kënaqur, pavarësisht se kërkon impenjim, por është një staf shumë i mirë dhe është gjithashtu një lloj privilegji për mua. E kam shijuar si eksperiencë dhe mendoj se ndaj edhe njerëzit më kanë pasur qejf. Të mos harrojmë që edhe ambienti me të cilin punon të jep komoditet”, deklaroi ajo.
Me këtë konfirmim, Kryemadhi pritet të rikthehet në karrigen e opinionistes, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do ta shoqërojë në panelin e opinionistëve të këtij edicioni.