Një rast i rëndë abuzimi seksual ndaj një të miture është zbuluar në Agrinio të Greqisë, ku një 15-vjeçare ka denoncuar se ishte shfrytëzuar seksualisht që prej moshës 11-vjeçare. Në qendër të akuzave është nëna e saj, të cilën vajza e konsideron përgjegjëse për atë që pretendon se ka përjetuar. Sipas dëshmisë së saj, edhe babai ishte në dijeni të ngjarjeve.
Mediat greke raportojnë se e mitura ka identifikuar disa persona, të cilët dyshohet se kryenin marrëdhënie seksuale me të kundrejt pagesës. Përveç abuzimit seksual, ajo ka rrëfyer se gjatë këtyre viteve ishte përballur edhe me dhunë fizike të vazhdueshme nga prindërit.
Prokuroria ka ngritur një sërë akuzash të rënda për personat e dyshuar, përfshirë trafikim dhe shfrytëzim seksual të të miturës, përdhunim të përsëritur, bashkëpunim në përdhunim dhe dhunë në familje.
Të dy prindërit janë nën akuzë për shfrytëzim seksual dhe dhunë në familje, ndërsa ndaj nënës rëndon edhe dyshimi për përfshirje të drejtpërdrejtë në përdhunimet e pretenduara. Në hetim janë përfshirë edhe persona të tjerë, disa prej të cilëve dyshohet se kanë paguar për të kryer akte seksuale me vajzën.
Ngjarja u bë publike më 22 nëntor, kur 15-vjeçarja vendosi t’i tregonte një banori të fshatit për abuzimin që pretendonte se kishte përjetuar. Ky i fundit e inkurajoi të denonconte rastin në polici dhe e shoqëroi për të bërë kallëzimin.
Një ditë më vonë, autoritetet kryen kontrolle në banesën e familjes, ku prindërit u arrestuan fillimisht për shkelje të legjislacionit mbi lëndët narkotike. Gjatë operacionit në disa banesa u sekuestruan edhe sasi kanabisi.
Ndërkohë, ekzaminimi mjeko-ligjor i kryer ndaj të miturës nuk konstatoi shenja fizike të përdhunimit. Megjithatë, ky konstatim nuk përjashton mundësinë e abuzimit apo shfrytëzimit seksual, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
