Investimet në armatim dhe personel, Kosova synon anëtarësimin në NATO

27 Nëntor 2026 | 16:57

Të premten, Forca e Sigurisë së Kosovës hapi dyert për qytetarët, duke u dhënë mundësinë të njihen nga afër me ushtarët, makinerinë dhe armatimin që disponon kjo forcë. Në aktivitet morën pjesë edhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës, të cilët u njohën me kapacitetet dhe zhvillimin e FSK-së.

Krerët e institucioneve vlerësuan përparimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, folën për investimet në armatim dhe personel, duke ritheksuar synimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Si institucione të Republikës së Kosovës, për sigurinë e fëmijëve dhe qytetarëve, për brezat që po vijnë, do të vazhdojmë angazhimin për ta forcuar ushtrinë tonë, në mënyrë që Republika e Kosovës të jetë edhe anëtare e NATO-s, krah aleatëve dhe partnerëve që kanë zhvilluar bashkërisht historinë e Republikës së Kosovës”, tha Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Kosovës.

“Sa më shumë që e forcojmë Forcën e Sigurisë, ushtrinë e Republikës së Kosovës, aq më larg qëndrojnë të gjithë ata që na kërcënojnë me luftë dhe konflikt. Nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd dhe nuk kemi synime ndaj asnjë fqinji. Duam vetëm t’i forcojmë kufijtë tanë, sigurinë e qytetarëve dhe vendin tonë”, u shpreh Donika Gërvalla, ministre e Drejtësisë së Kosovës.

“Investimet tona gjatë kësaj qeverisjeje janë orientuar në tri drejtime kryesore. Fokusi i parë ka qenë blerja e sistemeve të armatimit, mjeteve transportuese, pajisjeve dhe mjeteve të tjera të nevojshme për operacionalizimin e ushtrisë. Deri më tani janë bërë gati 500 milionë euro investime për blerjen e sistemeve të armatimit, transportit dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për operacionalitetin e FSK-së.

Fokusi i dytë ka qenë personeli, edukimi dhe rekrutimi. Tashmë kemi arritur numrin e paraparë të rekrutimeve deri në vitin 2028 dhe kemi zhvilluar programe trajnuese. Ndërsa fusha e tretë ka qenë infrastruktura dhe bazat e reja”, theksoi Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes së Kosovës.

Edhe deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke e cilësuar këtë proces si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe në rajon.

“Dita e Forcës” shënohet çdo vit më 27 nëntor dhe simbolizon themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo forcë u krijua më 1 janar 2009, pas shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti përsërit thirrjen: Kosova e vetmja në rajon pa status kandidati për BE, të nisë procesi i negociatave për anëtarësim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri sërish thirrje Bashkimit Evropian që Kosovës t’ia japë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e negociatave...
15:51 | 27/11/2026

Prokuroria i përcaktoi Jakup Krasniqit 16 kushte ekstreme për të vizituar gruan e sëmurë

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, i kishte kërkuar Gjykatës Speciale që gjatë vizitës katër-ditore të tij në Prishtinë, të qëndrojë gjatë gjithë...
13:46 | 27/11/2026

Shiroka Pula takon Begajn në Ohër: Asgjë nuk i ndan Kosovën dhe Shqipërinë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, në Ohër. Takimi është zhvilluar në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni,...
12:53 | 27/11/2026