Reshjet e papritura të dëborës kanë shkaktuar probleme të shumta në Çeki, ku gjatë dy ditëve të fundit janë regjistruar mbi 600 incidente, përfshirë aksidente rrugore, rrëzime pemësh dhe bllokime kamionësh. Në Pragë, rreth 26 mijë familje kanë mbetur përkohësisht pa ngrohje dhe ujë të ngrohtë, për shkak të një defekti në tubacionin e rrjetit të ngrohjes qendrore ndërsa temperaturat kanë zbritur nën zero.

Zjarrfikësit kanë ndërhyrë në të gjithë vendin për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe për të përballuar pasojat e motit të keq.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugëve.

Mjetet borëpastruese kanë punuar pa ndërprerje në autostrada dhe rrugët kombëtare. Sipas Drejtorisë së Rrugëve dhe Autostradave, brenda 24 orëve janë përdorur më shumë se 4 600 tonë kripë për mirëmbajtjen e rrugëve.

Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar gjithashtu vonesa prej disa orësh në fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar “Václav Havel” të Pragës.