Aksident i pazakontë në SHBA/ Kamioni mbetet i varur në urë mes motit të keq, pamjet bëhen virale Themeluesi i gjigantit të inteligjencës artificiale është rikthyer në selinë e kompanisë pas 11 ditësh mungesë, duke premtuar ndryshime në stilin e tij të drejtimit. Megjithatë, largimi dhe rikthimi i tij kanë ngritur pikëpyetje për qeverisjen e kompanisë, rolin e bashkëpunëtorëve të ngushtë, përgjegjësinë e bordit dhe marrëdhëniet me autoritetet amerikane për eksportet drejt Kinës.
Jensen Huang është zotuar se do të jetë një drejtues më i mirë në rikthimin e tij në krye të Nvidia-s, pas një mungese 11-ditore që shkaktoi një krizë në drejtimin e një prej kompanive më të rëndësishme të teknologjisë në botë.
Gjatë një takimi me punonjësit në selinë e kompanisë në Silicon Valley, të martën, Huang pranoi se duhet të zbusë stilin e tij autoritar të menaxhimit. Megjithatë, ai nuk dha sinjale për ndryshime të thella në strukturën drejtuese të Nvidia-s, duke mbrojtur organizimin e saj aktual, ku dhjetëra drejtues të lartë raportojnë drejtpërdrejt tek ai.
Ai përsëriti gjithashtu kundërshtimin ndaj krijimit të një plani formal për pasardhësin e tij në krye të kompanisë.
Ndërkohë, kriza ka vënë nën vëzhgim jo vetëm vetë Huang, por edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe bordin drejtues, i cili është kritikuar për mënyrën se si menaxhoi largimin dhe rikthimin e themeluesit.
Sipas analistëve të cituar nga Financial Times, përvoja e fundit mund ta detyrojë Huang të ndryshojë mënyrën se si drejton kompaninë. Gene Munster, partner menaxhues në Deepwater Asset Management, argumenton se Huang do të rikthehet me një qasje të ndryshme pas krizës.
Ai vlerëson se drejtuesi i Nvidia-s mund të reduktojë presionin e vazhdueshëm ndaj punonjësve, partnerëve dhe politikanëve, duke zbutur një nga karakteristikat më të njohura të stilit të tij të menaxhimit.
Huang është kritikuar më parë për mënyrën e ashpër të komunikimit me vartësit, përfshirë rastet kur u ka tërhequr vëmendjen publikisht para kolegëve të tyre.
Sipas Munster, një ndryshim i tillë mund të ndikojë në ritmin e kompanisë, por mund të sjellë edhe një drejtim më të qëndrueshëm në afatgjatë.
Një nga pasojat kryesore të krizës është vëmendja e shtuar ndaj drejtoreshës financiare Colette Kress dhe këshilltarit të përgjithshëm Tim Teter. Të dy janë pjesë e rrethit të ngushtë drejtues të Huang dhe rolet e tyre në menaxhimin e kompanisë janë vënë në diskutim.
Kress është përballur me pikëpyetje lidhur me praktikat e kontabilitetit të Nvidia-s dhe transparencën financiare, veçanërisht për ekspozimin e kompanisë ndaj tregut kinez.
Ndërkohë, Teter, i cili ka mbikëqyrur çështjet ligjore dhe pajtueshmërinë me kufizimet amerikane të eksportit, është kritikuar për mënyrën se si janë trajtuar shqetësimet që lidhen me sigurinë kombëtare.
Sipas burimeve të cituara nga Financial Times, ai pritet të dëshmojë së bashku me Huang në seancat dëgjimore me dyer të mbyllura në Kongresin amerikan.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kriza do të sjellë ndryshime në pozicionet e tyre. Sipas një punonjësi të Nvidia-s, Huang nuk njihet si drejtues që largon lehtësisht bashkëpunëtorët e tij, por preferon t’u kërkojë atyre të përmirësojnë performancën.
Top Channel