Shanset për të takuar personin e duhur janë vetëm 1 në 562, sipas një përllogaritjeje të matematicienes britanike Rachel Riley, e njohur si prezantuese e emisionit televiziv Countdown.
Në vitin 2017, ajo analizoi të dhënat për faqen e takimeve eHarmony, në bashkëpunim me studiues nga Universiteti i Bath. Në llogaritje u morën parasysh 18 faktorë që ndikojnë në zgjedhjen e partnerit, si mosha e preferuar, tërheqja fizike, statusi i marrëdhënies dhe distanca që një person është i gatshëm të përshkojë për të takuar dikë.
Pas filtrimit të të gjithë këtyre faktorëve, rezultoi se vetëm rreth 84 mijë të rritur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar përputheshin me preferencat mesatare të një personi. Kjo përkthehej në një mundësi prej 1 në 562 për të gjetur dashurinë.
Megjithatë, shanset ndryshonin sipas vendbanimit dhe moshës. Në Londër, ato ishin më të larta, me 1 mundësi në 394, për shkak të numrit më të madh të njerëzve.