“Fillova të kem frikë nga shpejtësia”/ Rrëfimi i Marquez pas tërheqjes: Nuk është mungesë ambicieje, por rreziku është shumë i madh

27/11/2026 17:22

Një nga kapitujt më të rëndësishëm të MotoGP-së po mbyllet. Marc Márquez ka njoftuar tërheqjen nga garat, duke zgjedhur Çestin dhe Çmimin e Madh të Valencias për të komunikuar vendimin e tij.

Piloti spanjoll pranoi se problemet fizike, dëmtimet e shumta dhe frika e krijuar pas komplikacioneve shëndetësore e kanë bindur se ka ardhur momenti për t’i dhënë fund karrierës.

Hyrja në sallën e konferencave për shtyp në pistën Ricardo Tormo u kthye në një moment të veçantë. Drejtues ekipesh dhe pilotë të MotoGP-së kaluan për të qenë pranë Marc Márquez në një prej ditëve më emocionale të karrierës së tij. Kur spanjolli u shfaq, u prit me duartrokitje të gjata nga kolegët, ndërsa ai kërkoi që të bënte një fotografi me të gjithë pilotët e kampionatit.

Mes emocionesh dhe falënderimesh, Márquez shpjegoi arsyet që e çuan drejt këtij vendimi, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për mungesë dëshire apo ambicieje, por për një betejë fizike që tashmë ka arritur kufijtë e saj.

“Jam i lumtur dhe krenar për njerëzit që kam njohur gjatë karrierës sime. Ndonjëherë nuk është e lehtë të kuptosh momentin kur duhet të ndalesh, por këtë vit isha shumë pranë limitit. Vendimin e mora pas garës në Motegi. I vetmi që e dinte ishte vëllai im, Álex”, rrëfeu Márquez.

Ai zbuloi se kishte zgjedhur ta mbante sekret vendimin deri në momentin e duhur, pasi nuk dëshironte që kjo çështje t’i merrte energjinë gjatë luftës për titullin kampion.

Dëmtimet dhe frika, arsyet kryesore të tërheqjes

Piloti spanjoll pranoi se problemet me krahun dhe komplikacionet pas dëmtimeve të fundit kanë ndikuar ndjeshëm në vendimin e tij.

“Fizikisht mund të vazhdoja, mund të fitoja dhe të luftoja, por fillova të ndieja frikë. Nuk bëhet fjalë për frikën nga shpejtësia apo nga pilotimi, por për pasojat që mund të ketë një tjetër dëmtim. Pas Indonezisë pata probleme me krahun dhe më pas edhe episode me shikimin e dyfishtë. Nëse pësoj një tjetër goditje në kokë, nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë. As unë dhe as mjekët nuk mund ta parashikojmë”, shpjegoi ai.

Márquez theksoi se pikërisht kjo pasiguri e ka detyruar të marrë më pak rreziqe në pjesën e dytë të sezonit.

“Kur e vendos në peshore atë që mund të arrij dhe rrezikun që duhet të marr, tashmë rreziku është më i madh. Nuk është mungesë dëshire apo ambicieje. Thjesht ka ardhur momenti të dëgjoj trupin tim”, shtoi spanjolli.

Álex Márquez, i vetmi që e dinte vendimin

Një nga detajet më emocionuese të rrëfimit ishte mënyra se si Marc e menaxhoi vendimin për t’u larguar nga MotoGP.

Ai konfirmoi se fillimisht kishte ndarë gjithçka vetëm me vëllain e tij, Álex Márquez, i cili e kuptonte më mirë se kushdo situatën fizike në të cilën ndodhej.

“Álex më njeh shumë mirë. Kur i them diçka, ai e di që e kam vendosur. Ai i dinte të gjitha problemet e mia dhe ishte plotësisht dakord. Babai im e mori vesh mbrëmjen e kaluar, ndërsa nëna ime këtë mëngjes. Ishte mënyra ime për ta bërë këtë”, tregoi ai.

Márquez zbuloi gjithashtu se drejtuesit e Ducati-t dhe Gigi Dall’Igna ishin informuar vetëm një ditë përpara njoftimit zyrtar.

Vitet më të vështira: 2020-2023

Duke kthyer kokën pas, kampioni spanjoll veçoi periudhën 2020-2023 si momentin më të vështirë të karrierës së tij.

“Për mua, vitet nga 2020 deri në 2023 ishin më të vështirat. Isha në një situatë ekstreme. Dua të falënderoj Hondën që më lejoi të largohesha dhe Gresinin që më dha mundësinë të nisja një kapitull të ri. Me Ducati-n pata një jetë të dytë në MotoGP, edhe pse më të shkurtër se e para”, u shpreh Márquez.

Ai e konsideroi vitin 2013, kur fitoi titullin që në sezonin e tij të parë në kategorinë mbretërore, si një moment unik. Megjithatë, veçoi edhe sezonin 2025, pasi arriti të përjetonte sërish ndjesinë e një titulli të parë dhe ta ndante këtë sukses me vëllain e tij.

Çfarë do të bëjë Márquez pas largimit?

Pavarësisht tërheqjes nga garat, Márquez nuk ka ndërmend të shkëputet plotësisht nga bota e motociklizmit.

Ai konfirmoi se do të qëndrojë pranë MotoGP-së dhe do të vazhdojë të ndjekë nga afër karrierën e vëllait të tij, Álex, të cilin e cilësoi si personin më të rëndësishëm në jetën e tij.

“Sigurisht që nuk e di se çfarë do të bëj në të ardhmen. MotoGP do të vazhdojë edhe pa mua. Vitin e ardhshëm do të jem sërish pranë këtij kampionati, sepse Álex do të vazhdojë të garojë. Do të më duhet kohë për të kuptuar se çfarë dua të bëj në jetën time të re”, tha ai.

Spanjolli nuk e përjashtoi mundësinë që të vazhdojë të pilotojë në të ardhmen, por pranoi se kalimi nga aktiviteti i përditshëm në një jetë larg garave do të jetë një ndryshim i madh.

Një mesazh për tifozët

Në fund, Márquez kishte një mesazh të veçantë për tifozët që e kanë mbështetur gjatë gjithë karrierës.

“Shpresoj ta keni shijuar këtë udhëtim po aq sa unë. Jam shumë mirënjohës për të gjithë tifozët. Nuk do të zhdukem, por ky është fundi i një kapitulli. Le ta kthejmë Valencian në një festë”, deklaroi ai.

Ai dëshiron të mbahet mend si një pilot që dha gjithçka për sportin, edhe në momentet kur rrezikoi më shumë seç duhej.

“Do të doja të më kujtonin si një pilot që ishte plotësisht i përkushtuar. Kam rrezikuar shumë, ndonjëherë edhe më tepër seç duhej, por jam krenar për këtë. MotoGP do të vazhdojë, do të vijnë yje të rinj dhe rivalitete të reja. Askush nuk është i përjetshëm këtu”, përfundoi Márquez.

Pas një karriere të mbushur me tituj, triumfe, dëmtime dhe rikthime spektakolare, Marc Márquez zgjedh të largohet me kokën lart. Mesazhi i tij është i qartë: jeta vazhdon, por këtë herë pa të në pistë.

Top Channel