Politikë

PD paraqet paketën për Reformën Zgjedhore: Lista 100% të hapura dhe sistem proporcional kombëtar

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një paketë propozimesh për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal, tre ditë përpara përfundimit të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Demokratët kanë paraqitur 39 amendamente në Kodin Zgjedhor dhe 20 ndryshime në Kodin Penal, ndërsa kanë kërkuar edhe zgjatjen me dy deri në tre muaj të afatit të punës së komisionit, mandati i të cilit përfundon më 30 nëntor.

Ndryshimi i sistemit zgjedhor është një prej pikave kryesore të paketës së propozuar nga PD-ja. Opozita kërkon kalimin në sistemin proporcional kombëtar, me një zonë të vetme zgjedhore dhe lista 100% të hapura.

Një tjetër propozim është vendosja e një pragu kombëtar prej 3% për partitë politike dhe koalicionet, megjithatë kjo përqindje është lënë për t’u negociuar dhe dakordësuar mes palëve. PD kërkon gjithashtu rikthimin e koalicioneve me lista të veçanta, si dhe lista të hapura për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e propozimeve të PD-së lidhet me ndarjen e shtetit nga partia dhe parandalimin e përdorimit të administratës publike për qëllime elektorale. PD propozon krijimin e një periudhe të mbrojtur zgjedhore, gjatë së cilës do të kufizoheshin vendimmarrjet dhe aktivitetet e institucioneve publike që mund të krijojnë avantazhe për subjekte të caktuara politike.

Sa i përket Kodit Penal, PD ka propozuar 20 ndryshime, që synojnë ashpërsimin e ndëshkimeve për krimet zgjedhore. Ndër propozimet e bëra publike janë dënime deri në shtatë vjet burg për organizimin e paligjshëm të patronazhimit politiko-administrativ, falsifikimin e rezultateve zgjedhore në rrethana të rënduara dhe organizimin e skemave të blerjes së votave.

Në ndryshimet e propozuara në Kodin Penal parashikohen gjithashtu masa për ndëshkimin e veprimeve që lidhen me manipulimin e votës dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor.

Paralelisht me depozitimin e propozimeve, Partia Demokratike ka kërkuar edhe zgjatjen me dy deri në tre muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili përfundon më 30 nëntor 2026.

Kërkesa i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, përmes një shkrese të bashkëkryetarit demokrat të komisionit, Oerd Bylykbashi. Ky i fundit argumenton se nevojitet më shumë kohë për përfundimin e projektligjeve, shqyrtimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe arritjen e dakordësisë politike mes palëve.

Në shkresë theksohet se një pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të evidentuara në raportet për zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe ato parlamentare të vitit 2025, mbeten ende të patrajtuara ose të papasqyruara në legjislacion. PD kërkon gjithashtu vijimin e konsultimeve me ekspertët ndërkombëtarë dhe asistencën e OSBE/ODIHR-it, Bashkimit Evropian dhe Komisionit të Venecias.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.