Të paktën tetë migrantë kanë humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur rëndë pasi u gjetën në një varkë pranë Ishujve Kanarie në Spanjë. Sipas shërbimit spanjoll të shpëtimit detar, numri i viktimave mund të arrijë deri në 10.
Në të njëjtën varkë ndodheshin edhe dhjetëra persona të tjerë. Autoritetet shpëtuan 84 migrantë, mes tyre edhe një të mitur, të cilët u transportuan në portin e La Restinga, në ishullin El Hierro.
Ishulli i vogël është përballur gjatë javëve të fundit me një fluks të konsiderueshëm migrantësh që mbërrijnë nga brigjet e Afrikës përmes detit. Kjo rrugë migratore konsiderohet veçanërisht e rrezikshme, për shkak të distancës së gjatë dhe kushteve të vështira të udhëtimit.
Autoritetet spanjolle po vijojnë trajtimin e të mbijetuarve, ndërsa bilanci i viktimave mbetet ende për t’u konfirmuar përfundimisht.

