SPAK informon se nuk ka qenë pjesë e procesit të konsultimit për draftin me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. SPAK njofton se janë njohur me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale gjatë prezantimit të tij nga Ministria e Drejtësisë më 30 shtator.
Në reagim, SPAK thekson se aktualisht po kryejnë vlerësimin e tyre institucional lidhur me ndryshimet e propozuara dhe sipas Strukturës së Posaçme, në momentin kur do të kenë një qëndrim të qartë, do ja bëjnë me dije institucioneve përkatëse dhe do e ndajnë me publikun.
“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është njohur me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale gjatë aktivitetit publik të Ministrisë së Drejtësisë, më 30 shtator. SPAK nuk ka qenë pjesë e procesit të konsultimit për këto ndryshime. Aktualisht, po kryejmë vlerësimin tonë institucional lidhur me ndryshimet e propozuara. Në momentin kur do të kemi një qëndrim institucional, do t’ia bëjmë me dije institucioneve përkatëse si edhe do të ndajmë më shumë informacion me publikun”, thuhet në sqarimin e SPAK.
Projektligji që ndryshon në 105 nene të tij Kodin e Procedurës Penale, me ndryshime thelbësore që lidhen me paraburgimet dhe të drejtat e të hetuarit përballë gabimit apo abuzimit të shtetit është prezantuar disa javë më parë. Ndryshimet përcaktojnë rregulla të forta të dhënies së masës “arrest me burg” dhe detyrojnë prokurorin të gjejë prova edhe pro të dyshuarit, ndërsa do të hetojë edhe avokati.