Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për dërgimin në gjyq të dosjes penale që lidhet me rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobres.
Në këtë dosje janë të pandehur Fation Lulash Bushgjokaj, Petrit Ramiz Hoxha alias Petrit Çakraj, Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Katër të pandehurit akuzohen për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Kujtojmë se 23-vjeçari Renis Dobra u rrëmbye më 8 korrik 2025 në zonën e Burrelit. Sipas hetimeve, ai u ndalua me forcë nga persona që udhëtonin me automjete, u mor peng dhe më pas u vra. Trupi i tij u gjet mëngjesin e 9 korrikut 2025, në zonën e liqenit të Shkopetit, ku ishte hedhur bashkë me automjetin e tij.
Hetimet e SPAK zbuluan dyshime për përfshirjen e katër personave: Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha alias Petrit Çakraj, Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Një nga pistat e hetimit lidhet me konflikte të mundshme për aktivitetin e narkotikëve në Gjermani dhe humbjen e një sasie droge.













