Një shqiptar ka mbetur i vrarë gjatë një përplasjeje me armë zjarri në zonën e Cavarzere, pranë Venecias, në Itali.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi pasditen e sotme, kur policia italiane ndërhyri në një banesë për të arrestuar dy persona të kërkuar nga drejtësia.
Gjatë operacionit, dy personat dyshohet se hapën zjarr ndaj policisë, duke shkaktuar një shkëmbim zjarri. Si pasojë, shqiptari humbi jetën, ndërsa personi tjetër arriti të arratisej.
Policia italiane ka nisur kërkimet për kapjen e personit të larguar, i cili dyshohet se është i armatosur, ndërsa nuk dihet nëse shqiptari është ekzekutuar nga të shtënat e policisë apo të personit tjetër në arrati.
Identiteti i shqiptarit të vrarë nuk është bërë ende publik. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.












