Maresca shpërthen ndaj gjyqtarëve në Angli, rendit tri vendime që e dëmtuan rëndë Man Cityn

Trajneri i Manchester Cityt, Enzo Maresca, ka shprehur pakënaqësinë e tij me nivelin e referimit në Ligën Premier, duke pretenduar se skuadra e tij është dëmtuar nga disa vendime të diskutueshme të gjyqtarëve që nga përfundimi i pushimit ndërkombëtar.
City po kalon një seri prej katër ndeshjesh pa fitore në kampionat, por Maresca beson se vendimet e gabuara të arbitrave kanë ndikuar në të paktën dy prej këtyre rezultateve.
Tekniku italian përmendi tri raste konkrete, dy në ndeshjen ndaj Brightonit dhe një tjetër në përballjen e fundit kundër Fulhamit.
“Kam vërejtur edhe më shumë gjëra në tri, katër apo pesë ndeshjet e fundit, ndoshta që nga pushimi ndërkombëtar. Kam parë gjëra që nuk më kanë pëlqyer”, deklaroi Maresca.

“Gjatë gjithë jetës sime nuk kam parë një lojtar ta prekë topin me të dy krahët dhe të mos akordohet penallti. Për shembull, kundër Brightonit, rasti i Lewis Dunk. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Të dy krahët, nëse ju kujtohet. Nuk pati penallti”.
“Apo rasti tjetër kundër Brightonit, kur dukej sikur po luhej volejboll, pasi topi goditi krahun e shtrirë të Luka Vuskovicit”.
Maresca u ndal edhe te rasti i fundit kundër Fulhamit, duke vënë në pikëpyetje vendimin e gjyqtarit për një ndërhrje të diskutueshme ndaj portierit.
“Nëse e ndalni pamjen në momentin kur portieri e ka topin aty, duket si faull, por në dinamikën e aksionit ai nuk po e kontrollon topin. Madje, as vetë portieri nuk beson se e ka kapur topin”, shtoi ai.
Në fund, trajneri i Cityt pranoi se vendimet i takojnë gjyqtarëve, por theksoi se skuadra e tij duhet të përshtatet me situatën./Telegrafi/








































