Tre persona janë arrestuar nën dyshimin për posedim dhe trafikim të 136 kilogramëve substancë narkotike të llojit marihuanë, në një operacion policor të zhvilluar të premten në autostradën “Arbën Xhaferi”, në afërsi të fshatit Doganaj në Kaçanik.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka njoftuar se në këtë rast dyshohet të jetë i përfshirë edhe një zyrtar policor.


Gjatë operacionit, sipas Sveçlës, janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.

Ministri ka bërë të ditur se gjatë aksionit njëra nga veturat e dyshuara ka tentuar t'i ikë Policisë, duke shkaktuar aksidente trafiku. Për ta ndaluar atë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit.

“Njëra nga veturat e përfshira në këtë rast ngre dyshime për implikimin e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale. Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar për të hetuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat e rastit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka theksuar se nuk do të tolerohet përfshirja e asnjë zyrtari policor në veprimtari kriminale dhe se institucionet do të angazhohen për të ruajtur besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës.

“Besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës do ta ruajmë dhe forcojmë përmes angazhimit të vazhdueshëm duke pastruar nga radhët e saj çdo individ të lidhur me krimin. Asnjë individ apo zyrtar nuk do të tolerohet të shkelë ligjin, e aq më pak të përfshihet në veprimtari kriminale që helmojnë rininë tonë”, ka deklaruar Sveçla.