Vendosni fjalën kyçe....

SPAK: Nuk kemi qenë pjesë e konsultimit për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale


SPAK ka bërë të ditur se nuk ka qenë pjesë e procesit të konsultimit për draftin që parashikon ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke sqaruar se me propozimet është njohur gjatë prezantimit të organizuar nga Ministria e Drejtësisë më 30 shtator.

Në një përgjigje të publikuar në regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve për muajin tetor 2026, Struktura e Posaçme njofton se aktualisht po kryen një vlerësim institucional për ndryshimet e propozuara dhe se, pasi të ketë një qëndrim të qartë, do ta përcjellë atë te institucionet përkatëse dhe do ta ndajë me publikun.

SPAK sqaron se “është njohur me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale gjatë aktivitetit publik të Ministrisë së Drejtësisë, më 30 shtator” dhe se “nuk ka qenë pjesë e procesit të konsultimit për këto ndryshime”, thuhet në përgjigjen e institucionit.

Më tej, SPAK bën të ditur se po shqyrton institucionalisht propozimet dhe se do të dalë me një qëndrim zyrtar pasi të përfundojë vlerësimi. “Në momentin kur do të kemi një qëndrim institucional, do t’ia bëjmë me dije institucioneve përkatëse, si edhe do të ndajmë më shumë informacion me publikun”, thuhet në sqarim.

Projektligji që parashikon ndryshime në 105 nene të Kodit të Procedurës Penale është prezantuar disa javë më parë dhe përmban ndërhyrje të rëndësishme në procedurat penale, veçanërisht në lidhje me masat e paraburgimit dhe të drejtat e personave të hetuar.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë rregulla më të forta për vendosjen e masës “arrest me burg”, detyrimin e prokurorit për të kërkuar prova edhe në favor të të dyshuarit, si dhe një rol më të zgjeruar të avokatit gjatë hetimit.