Shkrimtari Agron Tufa ka publikuar dokumente të tjera që, sipas tij, dëshmojnë për përfshirjen e Et’hem Fejzollarit në komunikime me strukturat e Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës komuniste.
Në publikimin e radhës, Tufa sjell materiale që lidhen me komunikimin e Fejzollarit me shokët e rezidenturës së Sigurimit në ambasadën shqiptare në Romë, duke pretenduar se ky komunikim kërkoi edhe shpenzime financiare.
‘NË VIJIM TË PARALAJMËRIMIT PËR ISH-TË PËRNDJEKURIT POLITIKË TË SHQIPËRISË MBI PËRFAQËSIMIN E TYRE POLITIK (V)
Komunikimi i z.Et'hem me shokët e rezidenturës së sigurimit në ambasadën e RPSSH-së në Romë, kërkoi edhe shpenzime financiare.’, shkruan Tufa në postimin e sotëm.
Publikimi vjen në vijim të një serie reagimesh dhe dokumentesh të bëra publike nga Tufa, lidhur me të kaluarën e Et’hem Fejzollarit, i cili aktualisht është kryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë dhe ka shprehur ambicien për të krijuar një parti politike.
Në materialet e mëparshme, Agron Tufa ka publikuar dokumente që, sipas tij, lidhen me një letër të Fejzollarit drejtuar në prill të vitit 1990 ministrit të Jashtëm të diktaturës, Reiz Malile, si dhe me trajtimin e saj nga strukturat e Sigurimit të Shtetit. Tufa ka kërkuar që Fejzollari të sqarojë përmbajtjen dhe autorësinë e kësaj letre, duke argumentuar se çështja ka rëndësi publike për shkak të pozicionit që ai mban në përfaqësimin e ish-të përndjekurve politikë.
Në dokumentet e publikuara më herët, Tufa përmend edhe fashikullin nr. 6105 të Drejtorisë së 3-të të Sigurimit të Shtetit, të deklasifikuar në vitin 2017 nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas përshkrimit të tij, në dokumentacion gjenden shënime dhe komunikime të strukturave të kohës lidhur me letrën e Fejzollarit dhe kontaktet e tij të mundshme.
Tufa ka deklaruar se publikimi i dokumenteve nuk lidhet me një konflikt personal, por me nevojën për transparencë mbi figurat që pretendojnë të përfaqësojnë ish-të përndjekurit politikë, ndërsa ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, trajtohen këto dokumente dhe përgjegjësitë institucionale të AIDSSH-së.
© SYRI.net
VIDEO/ Nesho: Vizita e ambasadorit amerikan në SPAK, paralajmërim për sistemin e kalbur të qeverisjes së Ramës
Këlliçi: Nuk ka mënyrë më të mirë për të nderuar Ditën e Flamurit, se të ngrihesh kundër korrupsionit e arrogancës së Ramës
Vendimi i GJK për gjobat ndaj protestuesve/ ‘Shqetësuese’, Kalaja: Shtojcë e vendimmarrjeve të qeverisë Rama