Qytetarët shqiptarë do të kenë një numër të vetëm për të kërkuar ndihmë në çdo situatë emergjence. Me vendim të Këshillit të Ministrave, sistemi i unifikuar i thirrjeve emergjente 112 do të administrohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe do të mbulojë të gjithë territorin e vendit.
Përmes këtij sistemi do të koordinohet puna e Policisë së Shtetit, ambulancës, zjarrfikësve dhe strukturave të mbrojtjes civile, me synim shkurtimin e kohës së reagimit dhe rritjen e efikasitetit të ndërhyrjeve në raste emergjencash.
Shërbimi do të jetë funksional 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, ndërsa qytetarët do të mund të komunikojnë me operatorët si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.
Një nga risitë e sistemit do të jetë identifikimi automatik i vendndodhjes së qytetarëve që kërkojnë ndihmë, duke u mundësuar strukturave të emergjencave të lokalizojnë më shpejt personat në rrezik.
Kërkesa për ndihmë nuk do të kufizohet vetëm te telefonatat. Sistemi parashikon edhe mundësinë e komunikimit përmes mesazheve SMS dhe videos, në rastet kur kjo është teknikisht e mundur. Përmes unifikimit të shërbimeve në numrin 112, qeveria synon të krijojë një mekanizëm të përbashkët reagimi ndaj aksidenteve, zjarreve, emergjencave shëndetësore, fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera që kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve.









Komente
Komento