Qeveria ka miratuar rregullat për ngritjen dhe funksionimin e sistemit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112, i cili do të operojë 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit. Sistemi është i projektuar si një platformë e centralizuar për përmirësimin e marrjes së telefonatave, identifikimin e vendndodhjes së qytetarëve dhe koordinimin e shërbimeve që ndërhyjnë në raste emergjencash. Përgjegjësinë për koordinimin, drejtimin, mbikëqyrjen, kontrollin dhe administrimin e tij e ka marrë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Sistemi do të ofrojë shërbim në gjuhën shqipe dhe angleze dhe do të shërbejë si pikë e unifikuar komunikimi për qytetarët që kërkojnë ndihmë urgjente. Një element kyç i tij është mundësia e identifikimit të vendndodhjes së telefonuesit përmes teknologjisë AML (Advanced Mobile Location), e cila lejon përcaktimin e pozicionit gjeografik përmes pajisjeve inteligjente me sistem operativ Android dhe iOS. Përveç AML, vendndodhja do të përcaktohet edhe përmes infrastrukturës së rrjeteve telefonike fikse dhe të lëvizshme, që synon të lehtësojë identifikimin e vendit kur qytetari nuk mund të japë një adresë të saktë.
Një risi tjetër e parashikuar është mundësia e komunikimit me mesazhe SMS dhe format e tjera tekstuale, përfshirë transmetimin e videos kur kjo është teknikisht e mundur. Këto alternativa kanë synim të përmirësojnë aksesin në shërbimin 112 për personat me aftësi të kufizuara në dëgjim ose të folur, të cilët mund të kenë vështirësi në komunikimin përmes telefonatave zanore.
Sipas vendimit, çdo telefonatë drejt numrit 112 do të regjistrohet dhe do të ruhet në një databazë për referenca të mëvonshme; të dhënat do t’u vihen në dispozicion organeve ligjzbatuese kur kërkohen nga autoritetet përkatëse. Operatorët e sistemit kanë detyrimin të identifikojnë llojin e emergjencës dhe vendndodhjen e telefonuesit për të mundësuar lidhjen e drejtpërdrejtë me shërbimin përgjegjës, si dhe të ndjekin vijimësinë e komunikimit deri në stabilizimin e kontaktit midis qytetarit dhe institucionit që ofron ndihmën. Sistemi 112 do të komunikojë me sallat operative të institucioneve shtetërore përkatëse dhe do të mundësojë koordinimin kur kërkohet ndërhyrja e disa institucioneve njëkohësisht.
