Viti 2026 po regjistron shifra rekord në miratimin e lejeve për ndërtime të reja nga pushteti vendor. Shifrat e INSTAT tregojnë se përgjatë 9 muajve bashkitë kanë miratuar në total 1201 leje ndërtimi ose rreth 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025, ku u miratuan 899 leje. Pjesa e madhe e lejeve janë dhënë për banim, thotë INSTAT, pjesa tjetër është dhënë për hotele, ndërtesa tregtare apo industriale.

Për shkak të shtimit të lejeve, është rritur edhe volumi i sipërfaqes ndërtimore në 82 mijë metër katror. Në total sipërfaqja e lejeve të miratuara këtë vit e ka kaluar 1 milionë metër katrorë, ndërkohë që vlera e përafërt e këtyre ndërtesave përllogaritet në 60.5 miliardë lekë.

Por këto shifra nuk tregojnë numrin real të ndërtimeve që po bëhen ose pritet të nisin, pasi INSTAT vijon të nënvizojë që të dhënat mbështeten vetëm tek lejet e dhëna nga bashkitë sepse ende nuk ka një raportim të plotë nga institucionet e tjera që gjithashtu japin leje, siç është Këshilli Kombëtar i Territorit, i cili aprovon lejet për kullat apo resortet e mëdha.

Ndërtimi është kthyer në një nga sektorët kryesor që po ndikon në rritjen ekonomike të vendit, paralelisht me tregun real estate dhe turizmin.

Ndërkohë që shtimi i kantiereve ka dhënë ndikim pozitiv në të ardhurat e pushtetit vendor, të cilat janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti, dhe kontributi kryesor është dhënë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

LEJET E NDËRTIMIT NGA BASHKITË
Janar-Shtator 2025         899 leje             964,129 m²
Janar-Shtator 2026       1.201 leje         1,046,986 m²
Diferenca                      +302 leje              82,857 m²