Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që parashikon mbrojtje të veçantë për drejtorin e përgjithshëm dhe punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në rastet kur kërcënohet jeta, familja apo prona e tyre për shkak të ushtrimit të detyrës.
Sipas vendimit, mbrojtja do të ofrohet kur punonjësi përballet me veprime të paligjshme të personave të tretë, të lidhura me funksionin që ushtron. Masat përfshijnë ruajtjen ose shoqërimin fizik të punonjësit të rrezikuar dhe familjarëve të tij, si dhe mbrojtjen e pronës.
Për të përfituar nga kjo mbrojtje duhet të ekzistojnë rrethana serioze që vënë në rrezik jetën, familjen ose pronën, një situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur dëmin, si dhe një lidhje shkakësore mes kërcënimit dhe ushtrimit të ligjshëm të detyrës.
Për shqyrtimin e kërkesave do të ngrihet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të AMSEVP-së Komisioni për Vlerësimin e Kërcënimeve (KVK). Në përbërje të tij do të jenë drejtori i Drejtorisë së Hetimit, drejtori i Drejtorisë së Analizës dhe Sigurisë, drejtori i Drejtorisë së Inspektimit dhe Ankesave, si dhe drejtues të degëve territoriale.
Kërkesa për mbrojtje të veçantë mund të bëhet nga vetë punonjësi i kërcënuar, strukturat e Agjencisë që marrin dijeni për rrezikun, por edhe nga çdo organ tjetër publik që vihet në dijeni të rrethanave serioze.
Komisioni duhet të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë për pranimin ose refuzimin e saj brenda 10 ditëve nga paraqitja. Në rast se kërkesa pranohet, ai përcakton masat konkrete të mbrojtjes, të cilat miratohen nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë. Vendimi përcakton gjithashtu kohëzgjatjen e masave, mënyrën e zbatimit dhe shpenzimet përkatëse.
Për rastet kur rreziku është serioz dhe i menjëhershëm, drejtori i përgjithshëm i AMSEVP-së ka të drejtë të urdhërojë pa vonesë strukturat përkatëse të marrin masa për garantimin e sigurisë së jetës, familjes dhe pronës së punonjësit. Këto masa duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të Komisionit brenda 10 ditëve.
Mbrojtja e veçantë parashikohet edhe për vetë drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë. Në rast se kërcënimi i drejtohet atij, kërkesa paraqitet pranë ministrit përgjegjës për drejtësinë, i cili urdhëron marrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e tij.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

