Mëngjesin e kësaj të premteje, Alessandro Bastoni iu nënshtrua ekzaminimeve instrumentale në Institutin Humanitas në Rozzano. Siç bëri të ditur Interi, kontrollet mjekësore evidentuan një shqetësim në muskulin kuadriceps të kofshës së majtë.

Ky është një formulim tashmë i përdorur shpesh në komunikatat zyrtare të klubit zikaltër. Edhe pse nuk përcakton shkallën e dëmtimit muskulor,  ai lë të kuptohet se mbrojtësit të Interit do t’i duhen të paktën tri javë për t’u rikthyer në fushën e lojës. Në skenarin më optimist, Bastoni mund të jetë sërish në dispozicion për ndeshjen Lecce-Inter, të programuar më 18 dhjetor, ndërsa objektivi do të jetë rikuperimi i plotë për ndeshjen e Superkupës kundër Lazios, më 22 dhjetor.

Zielinski rikuperohet – Lajme pozitive vijnë nga stërvitja e sotme edhe për Piotr Zielinskin. Mesfushori polak është stërvitur me grupin dhedo të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Genoas. Inflamacioni në këmbë, duket se më në fund po e lë të qetë mesfushorin zikaltër. Për shkak të këtij shqetësimi, Zielinski kishte munguar më parë në ndeshjet kundër Atalantës dhe Stuttgartit.

Rikthimi i Bonny dhe Calhanoglu – Përsa iu përket dy futbollistëve të tjerë të dëmtuar te Interi, më pranë rikthimit është sulmuesi Bonny që pritet t’i bashkohet grupit pas ndeshjes së Kupës së Italisë kundër Genoas, që do të luhet të martën e ardhshme. Ndërkohë, për Hakan Calhanoglun objektivi është Superkupa kundër Lazios. Rikthimi i tij në këtë ndeshje nuk është i sigurt, por mbetet një mundësi konkrete.

Top Channel