Pagesat për kreditë e shpejta dhe detyrimet ndaj shoqërive financiare pritet të kryhen vetëm përmes llogarive transaksionale, pa përdorur para në dorë.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, bëri të ditur se ndalimi i pagesave me para të gatshme është parashikuar në ndryshimet e reja ligjore.
Të lidhura
None found
Duke folur në Radio Lider, ajo deklaroi se ligji është hartuar dhe se tashmë ka përfunduar edhe leximi i fundit i tij. Megjithatë, ministrja nuk bëri të ditur datën e nisjes së zbatimit të rregullave të reja.
“Nuk mund të ketë pagesa në para të gatshme dhe as arkëtime në para të gatshme”, u shpreh Dimitrieska-Koçoska, duke paralajmëruar se shoqëritë financiare mund të reagojnë ashpër ndaj këtij ndryshimi.
Sipas rregullimit të propozuar, shuma e kredisë së miratuar do të derdhej në një llogari bankare, ndërsa klientët do t’i kryenin pagesat po nëpërmjet llogarive. Në këtë mënyrë, çdo lëvizje financiare mes shoqërisë dhe përdoruesit do të dokumentohej përmes sistemit bankar.
Ministrja tha se ankesat e qytetarëve, së bashku me gjetjet nga kontrollet, kanë shërbyer si bazë për identifikimin e ndryshimeve që nevojiten në ligj. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë të raportojnë çdo parregullsi.
Dimitrieska-Koçoska rikujtoi se gjatë vitit 2024 Ministria e Financave u kishte dërguar shoqërive financiare një letër qarkore, përmes së cilës i paralajmëronte të mos vendosnin tarifa për kujtesat, vërejtjet apo veprime të tjera të ngjashme, kur ato bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve.








