Lajmi i fundit

Policia italiane vret një të ri shqiptar gjatë një shkëmbim zjarri, një tjetër arrestohet

VIDEO/ Berisha: Duhet të bashkohemi, opozita është shtuar me një opozitë të re, sot mazhoranca është minorancë

19:34, 27/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ së PD në Kamzë, kryetari i PD-së Sali Berisha kërkoi bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë, duke e cilësuar këtë si kusht për largimin e qeverisë së Edi Ramës.

Sipas tij, protestat e fundit dhe angazhimi i forcave të reja politike e kanë ndryshuar raportin e forcave në vend. ‘Sot opozita është shtuar me një opozitë të re, ajo që quhet mazhorancë të jetë një minorancë’, deklaroi kreu i PD-së, duke u bërë thirrje demokratëve, qytetarëve pa parti dhe të gjithë faktorëve kundërshtarë të qeverisë të bashkohen, pa hequr dorë nga identiteti i tyre politik.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Tjetër. Në vitin 2012, 2013, merrni cilin vit të doni, administrata ka gjithmonë një kosto për ta mbajtur kudo, për Shqipërinë me 2.9 milionë banorë, administrata e kësaj Shqipërie shpenzonte gjithsej 300 milionë euro.

Administrata e sotme e Kipes dhe Edi Ramës shpenzon gjithsej 960 milionë euro.

Atëherë çfarë ndodh?

Rrogat, u bëmë më rrogëulëtit në rajon.

Pensionet më të ulëtat, çnjerëzore, nuk mjaftojnë as për kafshatën, as për ilaçet, mezi mjaftojnë për qiratë, dritat dhe ujin.

Të gjitha këto janë instrumente me të cilat ky regjim largon çdo ditë shqiptarët nga Shqipëria.

Tjetër, çmimet në stratosferë.

Një litër qumësht në vitin 2012, prodhohej me një kosto 40 lekë, shitej me në çmim 67 lekë. Fermeri fitonte 27 lekë. Por edhe blerësi blinte me një çmim të arsyeshëm.

Sot një litër qumësht blihet me 180, 190 apo 200 lekë në një kohë kur rrogat janë më të ulëtat në rajon.

Të gjitha këto bënë që shqiptarët të ikin masivisht nga ky vend i bekuar.

Por mbi të gjitha faktori që i ka përzënë shqiptarët nga Shqipëria ka qenë vrasja e shpresës.

Zgjedhjet e fundit, ndaj dhe unë e them dhe e ritheksoj, një mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që votuan opozitën.

Zgjedhjet e fundit u zhvilluan në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm.

4530 aktivitete u zhvilluan në mënyrë të paligjshme për të ndikuar te qytetarët për të ndryshuar votën e tyre.

2 miliardë e 100 mijë euro u falën gjoba dhe kamata dy ditëve para zgjedhjeve me impakt në 200 mijë familje dhe 84 mijë biznese.

100 euro për çdo pensionist në mes të fushatës.

Mijëra e mijëra leje legalizimi, certifikata pronësie, leje ndërtimi për vota.

29 mijë hektarë kanabis për vota u firmosën.

Ushtria e patronazhistëve si terroristë elektoralë sulmonin, trysnonin qytetarët.

Ndaj dhe ju keni meritë të jashtëzakonshme që qëndruat.

Por duhet të theksoj me këtë rast, qëndruat ju, pa u ngrit Shqipëria, dhe kjo është meritë e jashtëzakonshme e juaja.

Dhe sot të dashur miq jemi në një situatë sa kritike, por po aq shpresëdhënëse.

Sot ne jemi opozitë masive.

Sot opozita është shtuar me një opozitë të re, e cila ka bërë që në Shqipëri, ajo që quhet mazhorancë të jetë një minorancë, çdo ditë e më e madhe si minorancë.

Lëvizja, e quajtur e flamengove, që bashkoi në shesh si kurrë ndonjëherë demokratë, socialistë, të paparti, në dhjetëra mijëra, qindra mijëra qytetarë ishte një goditje shumë e rëndë për regjimin, një damkosje ndërkombëtare e jashtëzakonshme.  Revolta studentore ishte shpërthim i një guximi të paparë, shpërthim të atillë guximi rrugët e Tiranës, guximtarë si studentët nuk kishin parë ndonjëherë.

Dhe ja pra ku jemi në një situatë krejt tjetër.

Jemi në një situatë në të cilën ka një kushtrim, ka një apel që kjo opozitë, më e madhe se kurrë; kjo opozitë, më luftarake se kurrë; kjo opozitë, më e fuqishme se kurrë, duhet të bashkohet. Bashkimi i saj në të gjithë pluralitetin, në respekt të të gjithë identiteteve të këtyre faktorëve kundër të keqes më të madhe që përbën rrezik ekzistencial për Shqipërinë është sot detyrë e çdo shqiptari që i thotë vetes shqiptar.

Është sot detyrë e çdo qytetari që i thotë lirisë liri.

Është sot detyrë e çdo atdhetari që thotë të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo boshatisje e tmerrshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco