Skandal në Kategorinë e Parë/ Futbollisti tenton të kafshojë kundërshtarin, përjashtohet me të kuq
Një incident i pazakontë ka prishur qetësinë e sfidës mes Pogradecit dhe Ilirisë, e vlefshme për javën e 12-të të Kategorisë së Parë, duke shkaktuar tensione dhe ndërprerjen e përkohshme të ndeshjes.
Episodi ndodhi në minutën e 28-të, kur futbollisti i Ilirisë, Santiago Selmani, gjatë një dueli për topin me lojtarin e Pogradecit, Mateo Shanaj, dyshohet se tentoi ta kafshonte kundërshtarin.
Pamjet dhe situata në fushë rikthyen në kujtesë incidentin e famshëm të Luis Suarezit me Giorgio Chiellinin gjatë Botërorit të vitit 2014.
Arbitri Dyrmishi, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes, reagoi menjëherë duke i nxjerrë kartonin e kuq Selmanit, ndërsa Shanaj u ndëshkua me të verdhë.
Vendimi shkaktoi reagime të forta nga futbollistët e Ilirisë, ku u diskutua edhe mundësia e braktisjes së takimit. Në përpjekje për të qetësuar situatën ndërhyri trajneri Dritan Smajlaj, por edhe ai u ndëshkua me karton të kuq.
Përplasjet dhe tensionet sollën ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta, me lojën që rifilloi në minutën e 35-të.
Në aspektin sportiv, Pogradeci shfrytëzoi epërsinë numerike dhe triumfoi me rezultatin 3-0. Me këtë fitore, skuadra pogradecare ngjitet në vendin e parë të renditjes së Kategorisë së Parë.




