Nga takimi me militantët në Kamëz, kryedemokrati Sali Berisha bëri thirrje për bashkimin e të gjitha partive opozitare me qëllim rrëzimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

“Jemi në një situatë në të cilën ka një kushtrim, ka një apel që kjo opozitë, më e madhe se kurrë; kjo opozitë, më luftarake se kurrë; kjo opozitë, më e fuqishme se kurrë, duhet të bashkohet. Bashkimi i saj në të gjithë pluralitetin, në respekt të të gjithë identiteteve të këtyre faktorëve kundër të keqes më të madhe që përbën rrezik ekzistencial për Shqipërinë është sot detyrë e çdo shqiptari që i thotë vetes shqiptar”, tha Berisha.

Berisha mori shembullin e Serbisë dhe tha se atje opozita u bashkua për të rrëzuar nga pushteti Presidentin Aleksandër Vuçiç. Sipas Berishës, i njëjti shembull duhet të ndiqet edhe në Shqipëri.

“Çështja e parë është largimi me çdo kusht i rrezikut ekzistencial, regjimit të Edi Ramës, dhe pastaj zgjedhjet e lira, shqiptarët të sjellin në pushtet forcën politike që besojnë më shumë, koalicionin që besojnë më shumë, të votojnë kandidatët që u duken më të mirët. Ama kjo kërkon që ne të bashkohemi.  U bashkuan armiqtë tanë, serbët u bashkuan ta themi atë që është. U bashkuan paçka se në spektrin e tyre kishte kundërshtarë nga më të papajtueshmit, por vendosën të bashkohen kundër padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç”, nënvizoi Berisha.

Për Berishën, opozitës aktuale në vend i është shtuar një tjetër opozitë, e dalë nga protestat disa-mujore në vend.

“Dhe sot të dashur miq jemi në një situatë sa kritike, por po aq shpresëdhënëse. Sot ne jemi opozitë masive. Sot opozita është shtuar me një opozitë të re, e cila ka bërë që në Shqipëri, ajo që quhet mazhorancë të jetë një minorancë, çdo ditë e më e madhe si minorancë”, shtoi Berisha.

Protestat e dhunshme, Berisha i cilësoi si një ‘Revoltë Studentore’ që sipas tij ishte një shpërthim guximi në rrugët e Tiranës.

“Lëvizja, e quajtur e flamengove, që bashkoi në shesh si kurrë ndonjëherë demokratë, socialistë, të paparti, në dhjetëra mijëra, qindra mijëra qytetarë ishte një goditje shumë e rëndë për regjimin, një damkosje ndërkombëtare e jashtëzakonshme.  Revolta studentore ishte shpërthim i një guximi të paparë, shpërthim të atillë guximi rrugët e Tiranës, guximtarë si studentët nuk kishin parë ndonjëherë. Dhe ja pra ku jemi në një situatë krejt tjetër”, vijoi Berisha.

Për Buxhetin dhe Paketën Fiskale 2027 të miratuar dje në Kuvend, Berisha tha se ishte një skemë për të vjedhur qytetarët shqiptarë.

“Buxheti i fundit, dhe dalin e kapardisen në mënyrë të shpifur para jush, 10 miliardë euro, e dini çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se nga xhepat e qytetarëve këta marrin 10 miliardë euro.10 miliardë. Po çdo njeri që e ndjen edhe minimumin e përgjegjësisë para atyre që i qeveris, i thotë vetes jo njëherë, por 100 herë, si do t’u kthej unë këtyre më shumë nga kjo shumë. Çfarë do bëj unë, si do i administroj unë këto. Dhe u them unë ju, në mënyrë absolute se ajo skemë që u vendos mbrëmë ishte si t’i vjedh më shumë këta qytetarë”, tha mes të tjerash Berisha.

Kryedemokrati theksoi se vetëm përmes investimeve, do të vidhen minimuni 1.8 miliardë euro nga buxheti i vitit të ardhshëm.

“Më lejoni të jap vetëm një shembull. Kishin caktuar 2.2 miliardë euro investim. Tani, t’u them unë ju, Rruga e Kombit, Rruga e Elbasanit, rruga Levan-Vlorë, rruga Levan-Tepelenë, rruga Tiranë-Elbasan, rruga Korçë-Qafë Plloçë, të gjitha të marra së bashku u garantoj se nuk shkojnë 2.2 miliardë. Jo, më pak. Po çfarë do bëjnë me ta? Do t’i vjedhin në mënyrë absolute jo më pak se 1.8 miliardë. Do të thoni ju si, pse? Se këta vjedhin sipas të gjitha kontrolleve të dokumenteve 90 deri në 100 përqind. Prandaj i ndajnë për investim këta. Ne ndanim për investim 700 milionë, mundet një vit të kemi ndarë 800 milionë. Dhe janë ndërtuar gjithë ato”, përfundoi Berisha.