Me rastin e Ditës së Forcës, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i akordoi komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, medaljen “Shërbim i Shquar”. Vlerësimi iu dha për shërbimin e jashtëzakonshëm dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj sigurisë, sovranitetit dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Gjatë ceremonisë u theksua se rruga e gjeneral Jasharit është e lidhur me përpjekjen për liri dhe me shërbimin ndaj vendit. Ai ishte një nga të mbijetuarit e familjes Jashari gjatë luftimeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz, ku luftoi krah për krah me Adem dhe Hamëz Jasharin. Pas kësaj qëndrese, ai vijoi të shërbente si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në çlirimin e vendit, në qershor të vitit 1999.
Të lidhura
None found
Pas përfundimit të luftës, Jashari vijoi angazhimin ushtarak në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Fillimisht ai mbajti postin e zëvendëskomandantit, ndërsa më pas drejtoi Zonën e Parë Mbrojtëse. Me krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ai shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm dhe mori pjesë në procese të rëndësishme për zhvillimin dhe tranzicionin e kësaj force. Në nëntor të vitit 2021, u emërua komandant i FSK-së.
Sipas ministrit Maqedonci, gjatë pesë viteve në krye të FSK-së, gjenerallejtënant Jashari udhëhoqi procese me rëndësi historike për transformimin dhe forcimin e saj. Në këtë periudhë u avancuan kapacitetet mbrojtëse dhe ndërveprueshmëria e forcës me ushtritë e vendeve aleate.
“Përmes punës dhe përkushtimit të tij, ai dha një kontribut të rëndësishëm edhe në forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Maqedonci në Facebook. Ministri e falënderoi Jasharin për bashkëpunimin e ngushtë dhe shërbimin e çmuar ndaj Republikës së Kosovës.








