Ambasada amerikane ngre alarmin për protestat e fundjavës në Tiranë
Paralajmëron për përshkallëzim të dhunës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për protestat e paralajmëruara gjatë fundjavës, më 28 dhe 29 nëntor, duke ngritur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në kryeqytet.
Sipas paralajmërimit të përfaqësisë diplomatike, demonstratat pritet të zhvillohen në qendër të Tiranës dhe pranë institucioneve qeveritare, duke sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor, devijime të trafikut dhe bllokime të akseve kryesore.
Shqetësimi i ambasadës lidhet veçanërisht me episodet e dhunshme të regjistruara gjatë protestave të mëparshme.
“Disa demonstrata janë shndërruar në trazira të dhunshme, me përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronës”, thuhet në njoftimin e publikuar të premten.
Ambasada paralajmëron se personat që ndodhen brenda ose pranë zonave të demonstratave mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të lëshuar horizontalisht, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome.
Si masë paraprake, përfaqësia amerikane ka udhëzuar personelin e saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen protestat.
“Ju lutemi, qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për informacionet më të fundit”, këshillon ambasada.
Në njoftim, qytetarëve u rekomandohet të shmangin demonstratat, të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mjedisit përreth, të kufizojnë përdorimin e telefonave dhe kufjeve në hapësirat publike dhe të kenë një plan paraprak largimi në rast emergjence.
Paralajmërimi amerikan vjen në prag të një fundjave me protesta të paralajmëruara në kryeqytet, ndërsa vëmendja mbetet te zhvillimet pranë institucioneve qeveritare dhe masat e sigurisë që do të ndërmerren nga autoritetet shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



