Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar llogari nga Policia e Kosovës pas ndalimit të vendosjes së muralit të Nënë Terezës, për të cilin Komuna kishte dhënë leje për përdorimin e hapësirës publike.
Ngjarja ndodhi të premten në mbrëmje dhe ka nxitur reagimin e ashpër të kreut të kryeqytetit, i cili ka ngritur dyshime se ndërhyrja mund të ketë pasur prapavijë politike.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se policia kishte pretenduar se urdhri për pengimin e punimeve kishte ardhur “nga lart”. Për këtë arsye, ai kërkoi që Policia e Kosovës ta sqarojë publikisht se kush e ka dhënë këtë udhëzim.
“SKANDALOZE! Kujt i përgjigjet shteti ynë? Urdhrave politikë?! Sonte u pengua vendosja e muralit të Nënës Terezë në Prishtinë. Komuna e Prishtinës, që lëshon lejet për hapësirat publike në kryeqytet, e kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit”, ka shkruar Rama.
Ai kërkoi identifikimin e personit që ka urdhëruar ndërhyrjen, si dhe publikimin e vendimit mbi bazën e të cilit policia ka vepruar.
“Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, pyeti kryetari i Prishtinës.
Rama kërkoi gjithashtu të bëhet e qartë nëse ka pasur presion politik ndaj Policisë së Kosovës dhe kush mban përgjegjësi për ndalimin e vendosjes së muralit.
“Me çfarë vendimi u ndalua vendosja? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, ka përfunduar ai.
Deri tani, Përparim Rama nuk ka bërë të ditur emrin e institucionit apo personit që mund të ketë kërkuar ndërprerjen e punimeve. Ndërkohë, pritet që Policia e Kosovës të sqarojë bazën ligjore të veprimit të ndërmarrë.






