Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pezulloi gjobat flagrante gjatë protestave nuk ka ndalur zbatimin e nenëve të tjera të aktit normativ, i cili hyri në fuqi më 28 tetor. Ndërkohë që policia nuk mund të vendosë gjoba në flagrancë sipas dispozitave të pezulluara kur protestuesit nuk i binden urdhrave për t’u shpërndarë, kur turmat refuzojnë të largohen nga zonat e mbrojtura apo kur protestohet i maskuar, pjesa tjetër e ndryshimeve ligjore mbetet në fuqi deri në vendimin përfundimtar të Kushtetueses për çështjen substantive.
Në praktikë, për policinë gjatë protestave mbeten të zbatueshme risitë e parashikuara në nenin 24 të aktit normativ. Marzhi i dënimit me gjoba është rritur; akti normativ përcakton se pjesëmarrja në tubime të ndaluara dënohet me 100 mijë lekë dhe po ashtu përdorimi i maskave mund të ndëshkohet deri në 100 mijë lekë. Këto dispozita vijojnë të aplikohen ndërsa pikat e tjera të ligjit që lidhen me masa të përkohshme dhe kufizime ruajnë efektin e tyre.
Akti normativ, i dorëzuar për shqyrtim me përparësi në Gjykatën Kushtetuese, mbetet në fuqi për parashikime të tjera, përfshirë mundësinë e vendosjes së kufizimeve të përkohshme rreth objekteve të caktuara. Në vendim duhet të përshkruhen arsyet, perimetri dhe kohëzgjatja e kufizimeve, si dhe i jepet policisë e drejta për të dhënë urdhër për largim nga zona e mbrojtur. Përkufizimi i zonave të mbrojtura përfshin perimetrin rreth stacioneve dhe mjeteve të transportit publik, si dhe zona të tjera të përcaktuara nga këshilli bashkiak.
Për shkak se pezullimi i gjobave flagrante nga Kushtetuesja i kufizon kompetencat e policisë sipas aktit nën shqyrtim, si alternativë është vënë në shënjestër Kodi Rrugor. Neni 20 i këtij kodi parashikon gjoba nga 25 mijë deri në 100 mijë lekë për këdo që zë sipërfaqen rrugore pa lejen e duhur, duke iu dhënë kështu policisë një mjet tjetër ligjor për të adresuar disa situata gjatë tubimeve dhe protestave.
