Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të qytetit të Vlorës, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Prej disa orësh, shiu ka vijuar me intensitet të lartë, duke bërë që rrugë dhe akse të ndryshme të mbulohen nga uji. Ndër zonat më problematike raportohen rruga “Kosova”, Plazhi i Vjetër, zona pranë bibliotekës së qytetit, si dhe zona “Albano dhe Romina”.
Situata paraqitet e vështirë edhe në disa blloqe banimi dhe zona periferike, ku niveli i ujit ka arritur pranë bizneseve dhe banesave. Disa prej akseve janë thuajse të pakalueshme për shkak të grumbullimit të ujit.
Ndërkohë, në minutat e fundit intensiteti i reshjeve ka ardhur në rënie, çka pritet të lehtësojë situatën dhe të ndihmojë në largimin gradual të ujërave nga rrugët dhe zonat e banuara.












