Santiago Abascal, nga margjinat e politikës në prag të pushtetit në Spanjë/ Kush është lideri i së djathtës ekstreme që synon qeverinë

27/11/2026 21:16

Santiago Abascal, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Vox, është shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të politikës spanjolle, duke e çuar formacionin e tij nga një parti me ndikim të kufizuar në një forcë që mund të luajë rol vendimtar në qeverinë e ardhshme të vendit.

Në moshën 50-vjeçare, Abascal synon të hyjë në qeverisjen qendrore të Spanjës, në një moment kur mundësia e krijimit të një koalicioni mes Vox dhe Partisë Popullore konservatore të Alberto Núñez Feijóo është kthyer në një nga çështjet kryesore të debatit politik.

Nëse kjo marrëveshje realizohet, do të ishte hera e parë që nga rikthimi i demokracisë në Spanjë që një parti e ekstremit të djathtë merr pjesë në qeverinë qendrore. Gazeta amerikane “The New York Times” i ka kushtuar një profil të gjerë Abascalit, duke analizuar rrugëtimin e tij politik, ndikimin në rritje dhe faktorët që e kanë ndihmuar të fitojë terren.

Santiago Abascal lindi më 14 prill 1976 në Bilbao dhe u rrit në Amurrio, në Vendin Bask, në një familje të përfshirë prej kohësh në politikën lokale. Gjyshi i tij kishte qenë kryetar bashkie gjatë diktaturës së Francisco Francos dhe viteve të para të tranzicionit demokratik, ndërsa babai i tij ishte anëtar i Partisë Popullore.

Fëmijëria e tij u ndikua nga dhuna e organizatës separatiste ETA. Në moshën nëntëvjeçare, ai mësoi përmes televizionit për vrasjen e një personi që njihte, ndërsa familja e tij u përball me kërcënime të përsëritura për shkak të aktivitetit politik.

Në vitin 1999, dyqani i veshjeve i të atit u dogj dhe, pas rindërtimit, u pajis me xhama antiplumb. Këto përvoja ndikuan në formimin e qëndrimeve të tij politike, ku mbrojtja e unitetit territorial të Spanjës dhe kundërshtimi i separatizmit bask e katalanas u kthyen në çështje qendrore.

Abascal iu bashkua Partisë Popullore në vitin 1994, kur ishte vetëm 18 vjeç. Për gati dy dekada ai qëndroi në radhët e saj, duke mbajtur edhe funksione në nivel lokal dhe rajonal.

Ndarja erdhi në vitin 2013, kur ai kritikoi qëndrimin e partisë ndaj lëvizjeve separatiste dhe vendosi të largohej. Një vit më vonë mori drejtimin e Vox, një formacion politik që në atë kohë luftonte për të fituar përfaqësim në institucionet spanjolle.

Nga 12 vende në Andaluzia, në 52 deputetë në Parlament

Për disa vite, Vox mbeti në periferi të politikës spanjolle, ndërsa votuesit konservatorë vazhdonin të mbështesnin kryesisht Partinë Popullore.

Situata ndryshoi pas krizës katalanase dhe referendumit të pavarësisë në vitin 2017, kur Abascal arriti të vendoste në qendër të debatit çështjen e nacionalizmit spanjoll dhe integritetit territorial.

Në dhjetor 2018, Vox siguroi 12 vende në parlamentin rajonal të Andaluzisë. Në zgjedhjet kombëtare të prillit 2019 fitoi 24 mandate, ndërsa në zgjedhjet e nëntorit të po atij viti arriti në 52 deputetë.

Megjithatë, rritja nuk vazhdoi me të njëjtin ritëm. Në zgjedhjet e korrikut 2023, partia ra në 33 vende, duke humbur rreth 600 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Gjatë fushatave të fundit, Abascal është përqendruar gjithnjë e më shumë te emigracioni, duke e lidhur atë me problemet e strehimit, koston e jetesës dhe presionin mbi shërbimet publike.

Programi i Vox parashikon kontrolle më të rrepta kufitare, deportimin e emigrantëve dhe përparësi për qytetarët spanjollë në aksesin ndaj shërbimeve publike.

Kjo qasje bie në kontrast me politikën e kryeministrit socialist Pedro Sánchez, i cili e konsideron emigracionin një faktor të rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe plotësimin e nevojave të tregut të punës.

Lidhjet me Melonin, Le Pen dhe të djathtën evropiane

Ndikimi i Abascalit është shtrirë edhe përtej kufijve të Spanjës. Ai ka krijuar marrëdhënie politike me kryeministren italiane Giorgia Meloni, lideren franceze Marine Le Pen dhe politikanen gjermane Alice Weidel.

Që prej vitit 2024, ai drejton aleancën politike evropiane “Patriotët për Evropën”, e cila bashkon forca nacionaliste dhe të djathta nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Sipas “The New York Times”, Vox ka marrë gjithashtu kredi gjatë viteve 2023 dhe 2024 nga një bankë pjesërisht në pronësi të shtetit hungarez, gjatë kohës kur Viktor Orbán ishte në pushtet.

Partia ka kultivuar edhe marrëdhënie me lëvizjen konservatore amerikane dhe ka marrë pjesë në aktivitete ku ka qenë i pranishëm Donald Trump.

Një nga episodet më të përfolura ishte ai i vitit 2023, gjatë konferencës CPAC në SHBA, kur Trump ngatërroi emrin e Abascalit, duke e quajtur “San Diego”.

Debati për trashëgiminë e Frankos

Një nga çështjet më të ndjeshme që shoqëron ngritjen politike të Vox është raporti i së djathtës spanjolle me të kaluarën diktatoriale të vendit.

Francisco Franco sundoi Spanjën nga viti 1939 deri në vdekjen e tij në vitin 1975. Regjimi i tij u karakterizua nga censura, shtypja e opozitës dhe kufizimi i lirive politike.

Pas rikthimit të demokracisë dhe miratimit të Kushtetutës së vitit 1978, partitë e së djathtës ekstreme mbetën për dekada në margjinat e politikës.

Abascal e kundërshton etiketimin e Vox si parti e ekstremit të djathtë dhe i paraqet qëndrimet e saj si mbrojtje të sovranitetit dhe identitetit kombëtar. Ndërkohë, kryeministri Pedro Sánchez ka përdorur kujtesën e diktaturës për të paralajmëruar ndaj pasojave që mund të sjellë një qeveri e përbashkët mes Partisë Popullore dhe Vox.

Megjithatë, analistët vërejnë se trashëgimia e Frankos ka gjithnjë e më pak ndikim te brezat e rinj, të cilët i vlerësojnë partitë kryesisht përmes problemeve aktuale ekonomike dhe sociale.

A do të hyjë Vox në qeverinë spanjolle?

Sondazhet e cituara në artikullin e “The New York Times” e vendosin Partinë Popullore në avantazh, me 31.9% të mbështetjes, ndërsa Vox renditet me 16.9%.

Për të siguruar shumicën absolute në Parlamentin spanjoll, nevojiten 176 nga 350 mandatet. Përbërja e qeverisë së ardhshme do të varet nga rezultati përfundimtar dhe negociatat mes forcave politike.

Partia Popullore dhe Vox kanë bashkëpunuar më parë në nivel rajonal, por mes tyre ekzistojnë edhe mosmarrëveshje për emigracionin, administrimin rajonal dhe integrimin evropian.

Për Abascalin, mundësia e hyrjes në qeverinë qendrore do të përfaqësonte kulmin e një karriere politike që nisi në radhët e Partisë Popullore dhe vazhdoi me krijimin e një force që për vite me radhë qëndroi jashtë vëmendjes kryesore politike.

Për Spanjën, ndërkohë, një zhvillim i tillë do të shënonte një moment historik, pasi do të sillte për herë të parë në qeverisjen qendrore një parti të ekstremit të djathtë që prej rikthimit të demokracisë.

Top Channel