Santiago Abascal, drejtuesi i partisë së ekstremit të djathtë Vox, është shndërruar në një aktor qendror të politikës spanjolle. Nën drejtimin e tij, partia ka kaluar nga një forcë me peshë të kufizuar në një faktor që mund të përcaktojë përbërjen e qeverisë së ardhshme të vendit.
Abascal, 50 vjeç, synon tashmë një rol në qeverisjen qendrore, ndërsa mundësia e një aleance mes Vox dhe Partisë Popullore konservatore të Alberto Núñez Feijóo është kthyer në një nga temat kryesore të debatit politik në Spanjë.
Të lidhura
None found
Një marrëveshje e tillë do të shënonte hyrjen e parë të një partie të ekstremit të djathtë në qeverinë qendrore spanjolle që prej rikthimit të demokracisë. “The New York Times” i ka kushtuar një profil të zgjeruar liderit të Vox, duke shqyrtuar karrierën e tij, rritjen e ndikimit dhe arsyet që kanë ndihmuar partinë të zgjerojë mbështetjen.
Santiago Abascal ka lindur më 14 prill 1976 në Bilbao dhe është rritur në Amurrio, në Vendin Bask. Ai vjen nga një familje me traditë në politikën lokale: gjyshi i tij ka shërbyer si kryetar bashkie gjatë diktaturës së Francisco Francos dhe në vitet e para të tranzicionit demokratik, ndërsa i ati ka qenë pjesë e Partisë Popullore.
Vitet e fëmijërisë së tij u shënuan nga dhuna e organizatës separatiste ETA. Kur ishte nëntë vjeç, ai mësoi nga televizioni për vrasjen e një personi që njihte. Ndërkohë, familja e tij mori disa herë kërcënime për shkak të angazhimit politik.
Në vitin 1999, dyqani i veshjeve në pronësi të babait të tij u dogj. Pas rindërtimit, objekti u pajis me xhama antiplumb. Këto episode ndikuan në bindjet politike të Abascalit, veçanërisht në qëndrimin e tij për ruajtjen e unitetit territorial të Spanjës dhe kundërshtimin e separatizmit bask e katalanas.
Ai u anëtarësua në Partinë Popullore në vitin 1994, kur ishte 18 vjeç. Për afro dy dekada qëndroi në këtë parti dhe gjatë kësaj periudhe mbajti poste në nivele lokale dhe rajonale.
Ruptura me Partinë Popullore ndodhi në vitin 2013. Abascal kritikoi mënyrën se si partia po trajtonte lëvizjet separatiste dhe vendosi të largohej. Një vit më pas, ai mori drejtimin e Vox, një forcë që në atë kohë përpiqej të siguronte përfaqësim në institucionet spanjolle.
Nga 12 vende në Andaluzia te 52 deputetë në Parlament
Për një periudhë të gjatë, Vox mbeti jashtë qendrës së vëmendjes politike, pasi shumica e votuesve konservatorë vazhdonin të mbështesnin Partinë Popullore.
Gjithçka ndryshoi pas krizës katalanase dhe referendumit të pavarësisë në vitin 2017. Në atë kontekst, Abascal arriti të vendoste në plan të parë nacionalizmin spanjoll dhe mbrojtjen e integritetit territorial.
Në dhjetor 2018, Vox fitoi 12 vende në parlamentin rajonal të Andaluzisë. Në zgjedhjet kombëtare të prillit 2019, partia siguroi 24 mandate, ndërsa në zgjedhjet e nëntorit të të njëjtit vit numri i deputetëve u rrit në 52.
Megjithatë, kjo rritje nuk vijoi me të njëjtin intensitet. Në zgjedhjet e korrikut 2023, Vox zbriti në 33 vende dhe humbi rreth 600 mijë vota në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
Në fushatat e fundit, Abascal e ka vendosur emigracionin në qendër të mesazhit politik, duke e lidhur atë me vështirësitë për strehim, rritjen e kostos së jetesës dhe ngarkesën mbi shërbimet publike.
Programi i Vox kërkon forcim të kontrolleve kufitare, deportimin e emigrantëve dhe dhënien e përparësisë qytetarëve spanjollë në përdorimin e shërbimeve publike.
Kjo politikë është në kundërshtim me qëndrimin e kryeministrit socialist Pedro Sánchez. Ai e sheh emigracionin si një element të rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe për plotësimin e nevojave të tregut të punës.
Marrëdhëniet me Melonin, Le Pen dhe të djathtën evropiane
Roli i Abascalit nuk është kufizuar vetëm brenda Spanjës. Ai ka vendosur lidhje politike me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, lideren e së djathtës franceze, Marine Le Pen, si dhe me politikanen gjermane Alice Weidel.
Që prej vitit 2024, Abascal drejton aleancën politike evropiane “Patriotët për Evropën”, ku janë bashkuar forca nacionaliste dhe të djathta nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Sipas “The New York Times”, gjatë viteve 2023 dhe 2024 Vox ka përfituar edhe kredi nga një bankë pjesërisht në pronësi të shtetit hungarez, në periudhën kur Viktor Orbán ishte në pushtet.
Partia ka zhvilluar gjithashtu kontakte me lëvizjen konservatore amerikane dhe ka marrë pjesë në veprimtari ku ka qenë i pranishëm Donald Trump.
Një rast që tërhoqi vëmendje ndodhi në vitin 2023, gjatë konferencës CPAC në SHBA, kur Trump e shqiptoi gabim emrin e Abascalit dhe e quajti “San Diego”.
Debati për trashëgiminë e Frankos
Ngritja e Vox ka rikthyer në diskutim edhe raportin e së djathtës spanjolle me të kaluarën diktatoriale të vendit.
Francisco Franco e drejtoi Spanjën nga viti 1939 deri në vdekjen e tij në vitin 1975. Regjimi i tij u shoqërua me censurë, shtypje të opozitës dhe kufizim të lirive politike.
Pas vendosjes së demokracisë dhe miratimit të Kushtetutës së vitit 1978, partitë e ekstremit të djathtë qëndruan për dekada në skajet e skenës politike.
Abascal nuk pranon që Vox të përkufizohet si parti e ekstremit të djathtë dhe i paraqet qëndrimet e saj si mbrojtje të sovranitetit dhe identitetit kombëtar. Nga ana tjetër, kryeministri Pedro Sánchez ka përdorur kujtesën e diktaturës për të paralajmëruar për rreziqet e një qeverie të përbashkët mes Partisë Popullore dhe Vox.
Analistët, megjithatë, theksojnë se trashëgimia e Frankos po ndikon gjithnjë e më pak te brezat e rinj. Për këta votues, vlerësimi i partive lidhet kryesisht me çështjet e sotme ekonomike dhe sociale.
A do të bëhet Vox pjesë e qeverisë spanjolle?
Sondazhet e përmendura nga “The New York Times” e rendisin Partinë Popullore në vend të parë me 31.9% mbështetje, ndërsa Vox ka 16.9%.
Një shumicë absolute në Parlamentin spanjoll kërkon 176 nga 350 mandatet. Përbërja e kabinetit të ardhshëm do të përcaktohet nga rezultati përfundimtar dhe bisedimet mes partive.
Partia Popullore dhe Vox kanë bashkëpunuar më herët në nivel rajonal, por mes tyre vazhdojnë të ekzistojnë përplasje lidhur me emigracionin, administrimin rajonal dhe integrimin evropian.
Për Abascalin, hyrja në qeverinë qendrore do të ishte pika kulmore e një karriere që nisi në Partinë Popullore dhe vijoi me ndërtimin e një force politike e cila për shumë vite qëndroi jashtë vëmendjes kryesore.
Për Spanjën, një skenar i tillë do të kishte rëndësi historike, pasi do të sillte për herë të parë në qeverisjen qendrore një parti të ekstremit të djathtë që prej rikthimit të demokracisë.







