U gjet i pajetë disa ditë më parë/ Përfundon pas 11 orësh autopsia e ish-kreut të Policisë italiane, çfarë zbuluan mjekët ligjorë

27/11/2026 21:36

Pas afro 11 orësh ka përfunduar autopsia e Gianni De Gennaro, ish-prefektit dhe ish-kreut të Policisë italiane, i cili u gjet i pajetë të shtunën, më 21 nëntor, në një ndërtesë ndihmëse të vilës së tij në zonën e Grossetos.

Ekzaminimi u zhvillua në Institutin e Mjekësisë Ligjore pranë spitalit Careggi, në Firence, dhe nisi rreth orës 08:00 të mëngjesit. Autopsia u krye në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Grossetos, e cila ka nisur një procedim për veprën penale të nxitjes drejt vetëvrasjes, për momentin ndaj personave të paidentifikuar.

Ekspertiza synon të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të vdekjes së ish-zyrtarit të lartë, veçanërisht në përcaktimin sa më të saktë të momentit kur ai ka ndërruar jetë.

Në rezultatet paraprake të bëra publike, Prokuroria e Grossetos njoftoi se gjatë ekzaminimeve nuk janë gjetur shenja dëmtimesh në trup që mund të tregojnë ndërhyrjen e personave të tjerë.

“Mjekët ligjorë, të cilëve Prokuroria e Republikës së Grossetos u ka besuar ekspertizën, kanë përjashtuar, nga ekzaminimet paraprake të kryera, praninë e shenjave të dëmtimeve në trup që mund t’u atribuohen personave të tretë”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Sipas dyshimeve fillestare, De Gennaro dyshohet se ka qëlluar veten me armë zjarri në kokë, gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës.

Ekspertiza është kryer me urdhër të prokurorëve të Grossetos, nën drejtimin e prokurores Maria Navarro. Për këtë proces janë ngarkuar mjekët ligjorë Beatrice De Fraia dhe Andrea Paterna, ndërsa krahas autopsisë janë kërkuar edhe analiza të hollësishme toksikologjike.

Familja e të ndjerit është përfaqësuar gjatë ekzaminimit nga konsulenti i saj, profesori Marco Di Paolo, nga Universiteti i Pizës.

Procedurat në spitalin Careggi u zhvilluan në një pjesë të pavijonit të Mjekësisë Ligjore, e cila ishte izoluar për të mos lejuar hyrjen e gazetarëve.

Pas përfundimit të autopsisë, nisën procedurat për dorëzimin e trupit familjarëve dhe përgatitjen e arkivolit. Rreth orës 19:00, arkivoli u largua nga spitali Careggi dhe u nis drejt Romës.

Të nesërmen, nga ora 09:00 deri në 17:00, arkivoli do të vendoset në kapelën e Shkollës së Lartë të Policisë, në rrugën Pier della Francesca në Romë, ku qytetarët dhe ish-kolegët do të mund t’i japin lamtumirën e fundit.

Ceremonia mortore është planifikuar të mbahet të hënën, më 30 nëntor, në orën 12:00, në Bazilikën e Santa Maria degli Angeli në Romë. Në homazhet e fundit pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Top Channel